Presidenti amerikan Biden do marrë një dorë ndihmë nga paraardhësit demokratë Barack Obama e Bill Clinton të enjten në një mbledhje fondesh në Nju Jork, e planifikuar për të mbledhur më shumë se 25 milionë dollarë dhe për t’i shtuar më shumë fuqi fushatës së rizgjedhjes së Biden në nëntor 2024.
Biden, 81 vjeç, është përballur me shqetësime për moshën dhe aftësinë e tij për një mandat të dytë katërvjeçar. Sondazhet e fundit të Reuters/Ipsos tregojnë miratimin e tij në 40% dhe një garë të ngushtë me sfiduesin republikan Donald Trump, i cili është 77 vjeç, përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Biletat për veprimtarinë e fushatës janë midis 250 dhe 500,000 dollarë, sipas një demokrati të njohur me ngjarjen. Më shumë se 5000 njerëz pritet të marrin pjesë. Ngjarja nuk do transmetohet në televizion, por fushata planifikon të postojë përmbajtje nga ajo në rrjetet sociale.
Biden ka vizituar të gjitha shtetet kryesore të fushëbetejës, por kryesisht ka folur me turma shumë më të vogla, pjesë e një strategjie të qëllimshme për të theksuar ndërveprimet me amerikanët e zakonshëm.
Përpjekja për rizgjedhje e Biden mblodhi më shumë se 53 milionë dollarë në shkurt dhe 10 milionë dollarë në 24 orët pas fjalimit të tij të 7 marsit në Kongres.