Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtarët e Kushtetueses takim me përfaqësuesit e lartë të drejtësisë në Washington


Në datën 28 mars 2024, në kuadër të një vizite të përbashkët zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën marrin pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, znj. Sonila Bejtja, Sandër Beci, z. Ilir Toska dhe z. Genti Ibrahimi, si dhe znj. Vilma Premti, drejtore e Kabinetit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, janë zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në Washington D.C., në të cilat ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Më konkretisht, delegacioni shqiptar pati takime me Zëvendësndihmësin e Prokurorit të Përgjithshëm, Bruce Swartz dhe Zëvendësndihmësen Kryesore të Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Yuri Kim.

Në fokus të takimeve ishte ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rëndësia që mbart realizimi me sukses i saj për krijimin e një sistemi gjyqësor eficient dhe të pavarur, me qëllim rritjen e besimit të publikut në dhënien e drejtësisë, si dhe ecjen përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve, Kryetarja Zaçaj, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur Gjykata Kushtetuese që pas rikompozimit të plotë të saj dhe rezultatet pozitive që janë shënuar jo vetëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së vendimmarrjes, rritjes së efikasitetit dhe transparencës, por edhe në promovimin dhe njohjen e kësaj Gjykate në arenën ndërkombëtare.

Zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e ofruar nga shteti amerikan për implementimin me suksese të reformës në drejtësi dhe rritjen e besueshmërisë te gjyqësori shqiptar.

Në vijim të agjendës së vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj.Holta Zaçaj, do të zhvillojë sot në orën 18:00, një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA) në lidhje me këto takime.