Vendosni fjalën kyçe....

Polonia aktivizon avionët luftarakë pas sulmeve ruse në Ukrainë


Avionët luftarakë të Polonisë dhe të aleatëve u aktivizuan mëngjesin e 29 marsit, pasi Rusia kreu sulme me raketa në Ukrainë.

Kështu njoftoi Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë.

“Avionët polakë dhe të aleatëve po operojnë në hapësirën polake, gjë që mund të rezultojë në rritjen e nivele të zhurmës, veçmas në pjesën jugperëndimore të shtetit”, tha Komanda përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Pjesa juglindore e Polonisë është në kufi me Ukrainën. Kievi, ndërkaq, të premten njoftoi se është përballur gjatë natës me sulmet ruse me raketa dhe dronë që kanë shënjestruar infrastrukturën energjetike të shtetit.

Aktivizimi i forcave ajrore polake vjen disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk do të sulmojë asnjë shtet të NATO-s, as Poloninë, shtetet e Baltikut apo Republikën Çeke.

Megjithatë, udhëheqësi rus paralajmëroi se nëse avionët luftarakë F-16 – të prodhimit amerikan – përdoren në Ukrainë, atëherë ato do të rrëzohen nga ushtria ruse.

“Sigurisht, nëse këta avionë do të përdoren nga bazat ajrore nga një shtet i tretë, për ne do të bëhen caqe legjitime”, tha Putin.

Ukraina, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia më 2022, po kërkon nga aleatët e saj perëndimorë që t’i dërgojnë avionët F-16, në mënyrë që të përballet me forcat pushtuese ruse.

Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë në mesin e shteteve që janë zotuar se do t’i japin Kievit fluturake të tilla. Ndërkaq, një grup shtetesh kanë premtuar se do të ndihmojnë në trajnimin e pilotëve ukrainas.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL