Firma zvicerane e furnizimit me energji elektrike Axpo po shqyrton nëse termocentrali më i vjetër bërthamor në botë në Beznau, Zvicër, mund të vazhdojë të funksionojë për më shumë se 60 vjet, deri në vitin 2040, njoftoi kompania të enjten.
Plani i mëparshëm parashikonte që termocentrali bërthamor, i vënë në punë në vitin 1969, do hiqej nga rrjeti në vitin 2030.
“Për të forcuar më tej sigurinë e furnizimit, Axpo ka vendosur të qartësojë fizibilitetin teknik të funksionimit të termocentralit bërthamor Beznau përtej 60 viteve,” tha firma në një deklaratë.
Sipas kompanisë, termocentrali bërthamor Beznau përbëhet nga dy termocentrale pothuajse të njëjta, secili me një reaktor me ujë dhe 365 megavat kapacitet.
Të dy impiantet janë projektuar për 8000 orë me ngarkesë të plotë ose rreth 355 ditë pune në vit. Së bashku, ata prodhojnë rreth 6,000 gigavat orë energji elektrike çdo vit.
Kompania tha se termocentrali bërthamor vazhdon të përmbushë “kërkesat më të larta të sigurisë”.
Inspektorati Federal Zviceran i Sigurisë Bërthamore konfirmoi në një letër në vitin 2023 se termocentrali bërthamor përputhet me standardet aktuale të sigurisë.
Megjithatë, qeveria federale zvicerane njoftoi më 25 maj 2011, se kishte vendosur të heqë dorë nga energjia bërthamore për një afat të gjatë.
Sipas vendimit të qeverisë, termocentralet bërthamore do qëndrojnë në funksion deri në përfundimin e afatit të shërbimit, pas së cilës nuk do ndërrohen.
Më 21 maj 2017, populli zviceran miratoi përmes një referendumi Strategjinë e Energjisë 2050 të qeverisë, me 58.2% të votimit pro.
Si rezultat, ndërtimi i termocentraleve të reja bërthamore është i ndaluar, ndërsa nxiten energjitë e rinovueshme dhe përdorimi më efikas i energjisë.
Vënia në punë e mëtejshme e centralit bërthamor në Benznau po shkakton polemika në Zvicër.
“Ka deficite të shumta sigurie në Beznau,” kritikon ndër të tjera Nils Epprecht, drejtor menaxhues i Fondacionit Zviceran të Energjisë.
Sipas ekspertit të energjisë, depozitat e karburantit, për shembull, nuk janë të siguruara në mënyrë të përshtatshme, dy enët nën presion të reaktorit janë dobësuar rëndë dhe kutia është shumë e hollë për t’i bërë ballë forcave shkatërruese.
“Korrigjimi i këtyre deficiteve do nënkuptonte në mënyrë efektive një ndërtim të ri dhe do ishte shumë i shtrenjtë,” thotë Epprecht.
Zvicra u prek nga kriza energjetike në 2022/2023, që u shkaktua nga lufta në Ukrainë. Për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, mungon një pjesë e madhe e gazit natyror rus që nevojitet në Evropë për ngrohje dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Fakti që Francës iu desh të mbyllte më shumë se gjysmën e termocentraleve të saj bërthamore në vitin 2022, pjesërisht për shkak të punës së mirëmbajtjes dhe pjesërisht për shkak të dëmtimit nga korrozioni, e përkeqësoi gjithashtu krizën energjetike.