Ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe ka reaguar pas arrestimit të dy 50-vjeçarëve ditën e djeshme në Durrës, të cilët akuzohen se trafikonin ikona dhe vepra arti të vjedhura në parqet arkeologjike të vendit tonë.
Ai shkruan në se pas komunikimeve zyrtare me institucionet e trashëgimisë kulturore është konfirmuar se në asnjë prej të ashtuquajturave fonde të pasurisë kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cenuar asete të ndryshme.
Gonxhe shkruan se një nga dy trafikantët e arrestuar, për të cilin u tha se ishte roje në një Park Arkeologjik, nuk është pjesë e asnjë institucioni në varësi të ministrisë së drejton.
“SQARIM: Pas komunikimit zyrtar me institucionet e trashëgimisë kulturore, DRTK/Parqe dhe Muze, lidhur me ngjarjen e bërë publike në media nga Policia e Shtetit, sot më datë 30 Mars 2024, mbi operacionin e koduar “ikonat”, në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cënuar inventaret apo pasuritë në to!
Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI!
Për rrjedhojë, shpresoj në mirëkuptimin e publikut për faktin se në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk kam nxituar ende të përgëzoj, aq më tepër sepse duke bërë këtë mund të konfirmoja një lajm, që edhe pse nga Policia e Shtetit, duhet të verifikohet!
Duke uruar, ashtu siç shikohet nga pamjet, që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske.”- shkruan Gonxhe në Facebook.