Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli dëshiron një forcë shumëkombëshe të sigurisë në Gaza


Izraeli po konsideron krijimin e një force ushtarake shumëkombëshe në Gaza për të marrë përgjegjësinë për sigurinë, raportoi Axios të premten, duke cituar burime qeveritare.

Sipas raportit, ideja erdhi nga ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili e shprehu atë gjatë vizitës së tij në Uashington në fillim të kësaj jave.

Propozimi parashikon një kontigjent trupash nga vendet arabe që do vendosen në Gaza për një periudhë të kufizuar tranzicioni.

Forca do ngarkohej me shoqërimin dhe ndihmën për lehtësimin e dërgesave të ndihmave humanitare dhe përgjithësisht ruajtjen e rendit dhe ligjit në enklavë. Ata gjithashtu pritet të ndihmojnë në krijimin e një organi alternativ qeverisës në Gaza, tha një nga burimet.

Gallant thuhet se i kërkoi Uashingtonit të mbështeste nismën gjatë takimeve të tij me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan. Ndërkohë, zyrtarët izraelitë thuhet se kanë diskutuar gjithashtu propozimin në javët e fundit me përfaqësues nga të paktën tre vende arabe, njëri prej të cilave është Egjipti.

“Ka përparim në nxitjen e kësaj nisme si në aspektin e gatishmërisë së administratës Biden për ta diskutuar atë dhe në aspektin e hapjes së vendeve arabe ndaj idesë,” tha një nga burimet.

Megjithatë, një zyrtar arab i paidentifikuar nga një prej vendeve që thuhet se është përfshirë në bisedime tha se nuk ka gjasa që trupat e huaja të vendosen në rajon deri në përfundimin e armiqësive.

Një zyrtar amerikan shtoi se masa do kërkonte një ftesë zyrtare nga Autoriteti Palestinez në Gaza dhe do vinte vetëm në kontekstin e një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo, vuri në dukje burimi, e bën nismën të pamundur në një afat të shkurtër për shkak të kundërshtimit të Izraelit për njohjen e Palestinës si një shtet më vete.