Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli mund të ndryshojë ligjin për të detyruar hebrenjtë ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri


Komuniteti ultra-ortodoks i Izraelit në përgjithësi është i përjashtuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Gjatë viteve, shteti është përpjekur ta ndryshojë këtë. Këto përpjekje kanë dështuar, pjesërisht për shkak se vendi nuk miratoi një ligj që do rregullonte shërbimin e tyre.

Yanki Farber, një gazetar i besimit Haredi nga qyteti i Bnei Brak në Izraelin qendror, nuk është një përfaqësues tipik i komunitetit ultra-ortodoks, i cili aktualisht është 1.25 milion njerëz, ose afërsisht 12.5% ​​e popullsisë.

Kur ishte 18 vjeç, Farber u regjistrua në IDF dhe pas lirimit të tij rreth tre vjet më vonë, me raste ai është thirrur në rezervë. Kur ndodhën sulmet e 7 tetorit 2023, me militantët e Hamasit që nisën një sulm vdekjeprurës ndaj komuniteteve izraelite jugore, ai veshi përsëri uniformën e tij ushtarake dhe shkoi të shërbente.

Por Farber është një përjashtim, jo ​​rregull. Historikisht, hebrenjtë ultra-ortodoksë, të cilët ishin pakicë kur u krijua shteti i Izraelit në vitin 1948, përfituan përjashtim nga shërbimi ushtarak. Në atë kohë, u ra dakord që ata t’i shërbenin shtetit duke u lutur, edhe pse disa u regjistruan në IDF, veçanërisht në kohë lufte dhe në qytete që sulmoheshin nga ushtritë arabe.

Në vitet 1990, kur numri i tyre filloi të rritej, Izraeli u përpoq t’i inkurajonte ata të shërbenin, por pavarësisht përpjekjeve, IDF arriti të rekrutonte vetëm 31 individë në vitin 1999.

Me kalimin e viteve, gjendja është përmirësuar ndjeshëm. Në vitin 2016, totali ishte 2,850. Së fundmi, ushtria njoftoi se ka rreth 6000 ushtarë Haredi në radhët e saj. Ngjarjet e 7 tetorit gjithashtu i kanë dhënë një rritje numrave, megjithëse kjo është ende vetëm një pikë në oqean.

“Shumica e Haredive nuk shërbejnë sepse kanë frikë se në ushtri do ekspozohen ndaj një sërë opinionesh të ndryshme,” tha Farber.

“Atje, ata ka të ngjarë të takojnë ushtarë nga komuniteti LGBT, Druze dhe Beduinët. Ata do shërbejnë me gra, dhe ky takim mund t’ua ndryshojë mendjen. Kjo mund të dobësojë besimin e tyre fetar, diçka për të cilën rabinët janë të shqetësuar,” shtoi ai.

Por Ronen Koehler, një Kolonel izraelit te rezervistët dhe një nga aktivistët kryesorë në “Achim Laneshek” (Vëllezër në Armë), një organizatë që bashkon rezervistët që luftojnë për barazi në shërbimin ushtarak, thotë se rrënjët e problemit janë shumë më të thella.

“Është e vërtetë që rabinët e ultra-ortodoksëve nuk duan ta ekspozojnë brezin e tyre të ri ndaj modernitetit. Por ajo që është gjithashtu e vërtetë është se sa më shumë studentë të kenë, aq më shumë para merr yeshiva (shkolla fetare) e tyre. Ata e trajtojnë atë si një biznes dhe nuk kanë plane të lirojnë kontrollin.”

Në vitin 2021, u vlerësua se Izraeli shpenzonte 83 milionë dollarë në vit për 54,000 studentët e tij të rinj Yeshiva. Përveç kësaj, ai shpenzoi 248 milionë dollarë në vit për studentët fetarë me familje. Ky buxhet u rrit në vitin 2023 për t’u kujdesur për popullsinë në rritje të shpejtë të Haredive dhe ekspertët besojnë se këto fonde do vijojnë të rriten.

Ky shpenzim i tepruar e frustron Koehlerin, por ai gjithashtu është i zemëruar për pasojat e kësaj politike në shoqërinë izraelite.

“Ata ulen në yeshiva deri në moshën 26 vjeçare (pas së cilës lirohen automatikisht nga shërbimi ushtarak). Ata nuk studiojnë lëndët kryesore. As nuk mësojnë për një profesion të caktuar. Pra, kur mbarojnë studimet, nuk kanë punë. Ata nuk mund të integrohen në treg, bëhen barrë për ekonominë dhe i gjithë vendi po e paguan çmimin.”

Megjithatë, për Koehler, nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Bëhet fjalë gjithashtu për barazi dhe parime.

“Është e papranueshme që një djalë laik 18-vjeçar që sapo ka mbaruar studimet të shkojë në IDF, ku do të kalojë tre vjet të jetës së tij, ndërsa moshatari i tij fetar nuk do të bëjë të njëjtën gjë. Nuk po them se ata duhet të shkojnë të gjithë në njësitë luftarake. Por ata duhet t’i shërbejnë shtetit, ose duke u bërë vullnetarë në spitale, shkolla, duke shërbyer në njësi kibernetike, ose çdo gjë tjetër.

Mjaft e çuditshme, qeveria izraelite, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, e shikon atë ndryshe.

Në dhjetor 2023, dy muaj pas shpërthimit të luftës, Knesset miratoi një ligj që rriti moshën në të cilën jepet përjashtimi nga shërbimi ushtarak, duke e shtyrë atë nga 40 në 41 për rezervistët e zakonshëm dhe nga 45 në 46 për oficerët.

Përveç kësaj, Knesset po shqyrton mundësinë e rritjes së numrit të ditëve që rezervistët janë të detyruar të shërbejnë. Tani për tani, rezervistët izraelitë i japin shtetit 54 ditë për tre vjet. Plani është që ata tani do të duhet të shërbejnë 42 ditë në vit, ose 126 në total.

“Kjo politikë bie ndesh me çdo mendim praktik,” tha Koehler.

“Është e qartë se tani ushtria ka nevojë për më shumë njerëz dhe nuk kam asgjë kundër.

Por në vend që ta zgjidhin çështjen duke rritur numrin e rekrutëve, ata rëndojnë edhe më shumë ata që tashmë shërbejnë. Krijon pabarazi dhe zhgënjim sepse ata që regjistrohen nuk kanë jetë dhe gjithashtu përballen me një qëndrim të ashpër nga punëdhënësit e tyre,” shtoi ai.

Ky zhgënjim është përkthyer në veprim. Të enjten e kaluar, mijëra u mblodhën në Tel Aviv për të kërkuar trajtim të barabartë në lidhje me shërbimin e IDF. Protestuesit i kërkuan qeverisë të regjistrojë Hareditë dhe të miratojë një ligj që do rregullonte shërbimin e tyre.

Por qeveria duket se po zvarritet. Për vite me radhë, grupet liberale kanë apeluar në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë, duke i kërkuar asaj që të detyrojë qeverinë të miratojë një ligj që do barazonte Hareditë me laikët kur bëhet fjalë për shërbimin ushtarak. Ata gjithashtu duan që shteti të ndalojë financimin e institucioneve fetare që nuk dërgojnë studentët e tyre që nuk kanë të drejtë për të përfituar një përjashtim, në ushtri.

Në vitin 2017 u vendos përfundimisht që të shfuqizohej kapitulli i ligjit për shërbimin e sigurisë që trajtonte shtyrjen e shërbimit ultraortodoks. Sidoqoftë, çdo vit, qeveria lejohej ta zgjaste atë, derisa skadoi në vitin 2023.

Qeverisë së Netanyahut, e cila mbështetet në partitë fetare, iu dha afat deri më 31 mars 2024 për të dalë me një ligj konkret që do rregullonte rekrutimin e Haredve por kryeministri kërkoi më 28 mars një zgjatje prej 30 ditësh për të normalizuar ligjin.

Prokurori i tij i përgjithshëm ka shprehur një mendim tjetër, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të shkurtojë fondet për yeshivat dhe të fillojë regjistrimin e Haredive më 1 prill.

Për liberalët, megjithatë, mund të mos jetë e mjaftueshme.

“Ata vazhduan ta shtyjnë këtë ligj vit pas viti. Tani ka kaluar koha…nëse kjo qeveri vendos që do t’i bindet ligjit dhe miraton legjislacionin, do të jetë mirë për të gjithë”, tha Koehler.

“Për fat të keq, kjo qeveri ka dëshmuar herë pas here se nuk e ka problem të shkelë ligjin dhe të anashkalojë vendimin e Gjykatës. Nëse kjo do ndodhë përsëri, gjithçka mund të ndodhë”, shtoi ai.

Një numër grupesh liberale kanë paralajmëruar se do dalin në rrugë në protestë nëse Hareditë nuk thirren për të shërbyer, veçanërisht tani, kur IDF-së i duhen urgjentisht 10,000 njerëz për të frenuar kërcënimin që buron nga Gaza.

Liberalët gjithashtu pritet të kërkojnë që paratë që Izraeli shpenzon për yeshivat dhe institucione të ndryshme fetare të reduktohen ndjeshëm. Por Farber, i cili ka studiuar vetë në Yeshiva, thotë se kjo qasje nuk do funksionojë kurrë.

“Aplikimi i forcës nuk do funksionojë. Nëse një ligj i tillë kalon, hareditë do largohen nga qeveria, do rrëzojnë koalicionin dhe do dalin në opozitë. Atje do presin ditë më të mira, kur të vijë një qeveri tjetër dhe t’u japë atë që duan. Një gjë është e sigurt, ata nuk do t’i dërgojnë të rinjtë e tyre në IDF.

Koehler është i vetëdijshëm për ndjeshmëritë. Ai nuk beson as te forca. Përkundrazi, ai është i sigurt se hareditë mund të binden se shërbimi ushtarak mund t’u sjellë dobi atyre në planin afatgjatë.

“Ne duhet t’u shpjegojmë atyre se duke shërbyer, ata do marrin më shumë para që mund t’i përdorin për të financuar familjet e tyre. Pas përfundimit të ushtrisë, ata kanë një mundësi për të fituar 35,000 Shekel (rreth 9,600 dollarë) në vend që të punojnë si mësues yeshiva dhe të marrin 5,000 Shekel në muaj ([1,370 dollarë). Rabinët nuk do e kuptojnë këtë, por brezi i ri mundet dhe ne duhet të flasim me ta.”

Çfarë ndodh nëse bindja e Haredive nuk funksionon dhe qeveria, e cila ka nevojë për mbështetjen e tyre për të qëndruar në pushtet, vijon të vonojë miratimin e ligjit? Koehler premton se kampi i tij nuk do rrijë duarkryq.

“Ne jemi njerëz të përgjegjshëm dhe nuk do e djegim shtetin, nëse bëhet fjalë për këtë. Por me çdo ditë që kalon, ne shohim gjithnjë e më shumë padrejtësi. Ne jemi dëshmitarë të më shumë shembujve të qeverisë që vepron ilegalisht dhe zemërimi dhe zhgënjimi ynë shtohen. Një ditë mund të shpërthejë,” paralajmëroi ai.

*Nga Elizabeth Blade, korrespondente e RT në Lindjen e Mesme