Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje me armë mes policisë e kartelit në Meksikë, 10 të vrarë


Agjentët e policisë në Nuevo León, vranë dhjetë kriminelë të dyshuar në autostradën Monterrey – Nuevo Laredo, në kufi me shtetin e Tamaulipas.

Sekretari i Sigurisë së Nuevo León, Gerardo Palacios, raportoi rastin në llogarinë e tij në X dhe në disa intervista me mediat. Katër policë u plagosën, asnjëri prej tyre me plagë seriozë.

Sipas informacioneve që Palacios ka dhënë për gazetën El Norte, agjentët po patrullonin autostradën vetëm pak kilometra në veri të Monterrey-t dhe përplasja me armë ndodhi pas orës 15:00.

Në një çast, ata panë tre automjete me civilë të armatosur dhe filluan t’i ndiqnin. Kriminelët e dyshuar hodhën kaltropë, pajisje të bëra me gozhdë të salduar, në rrugë në përpjekje për të ndaluar agjentët. Pranë komunës Ciénega de Flores, kriminelët qëlluan ndaj policisë. Mes shpërthimit të gomave dhe të shtënave me armë, një nga furgonët e policisë u përmbys.

Ndjekja vazhdoi për 40 kilometra, deri në qytetin e Sabinas Hidalgo, pranë Tamaulipas.Gjatë përplasjes me armë u vranë 10 kriminelët e dyshuar, pesë nga secili grup.

Nga katër oficerët e plagosur, njëri ishte nga të shtënat me armë zjarri dhe tre të tjerët nga përmbysja e makinës. Shefi i policisë ka listuar në X pajisjet e konfiskuara nga civilët: tre kamionçina, 12 armë automatike, 100 karikatorë, një granatë dhe 13 jelekë antiplumb.