Vendosni fjalën kyçe....

Balluku inspekton aksin Orikum-Dukat: Gati për dy javë, do lehtësojë lëvizjen e automjeteve


Janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat. Kanë mbetur edhe dy javë që ky aks i rëndësishëm për lëvizjen e automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik ku fluksi është tepër i madh, të jetë plotësisht i hapur për qarkullimin.

Po punohet për shtresën e fundit asfaltike në dy kilometrat e fundit, për të vijuar më pas edhe me plotësimin e të gjithë aksit me sinjalistikën e nevojshme.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën  nga afër ecurinë e punimeve.

“Rruga Orikum – Dukat ka një gjatësi prej 14.75 kilometrash, fillon në portin e Jahteve dhe përfundon në Urën e Shën Elizës ku është dhe lidhja me tunelin e Llogarasë. Është rrugë e kategorisë C2, me një gjerësi 3.5 metra për çdo drejtim kalimi. Ky projekt është i gjithi i trajtuar si në mbrojtjen e shpateve, pjesën hidraulike të tij dhe të gjithë veprat e artit të nevojshme”, tha Gjyli.

Ministrja Balluku e cilësoi si të rëndësishme përfundimi e këtij aksi, i cili lidhet me tunelin e Llogarasë, një tjetër vepër e cila parashikohet të jetë e aksesueshme për drejtuesit e mjeteve në fund të muajit qershor. Me përfundimin e këtij aksi, tha Balluku lehtësohet ndjeshëm qarkullimi rrugor në këtë zonë, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore.

“Për dy javë e dorëzojmë përfundimisht dhe më pas përqendrojmë të gjitha forcat në tunelin e Llogarasë dhe në aksin e Thumanë-Kasharit që unë mendoj që është ajo që presin më shumë këtë vit shqiptarët, por dhe vizitorët e huaj, pasi trafiku me të vërtetë ka qenë i rënduar vitet e fundit edhe për shkak të numrit të shumtë të avionëve që vijnë në Rinas, por edhe për lëvizjen që ndodh mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, nënvizoi Balluku.

Aksi rrugor lidh bypass-in e Vlorës dhe portin e Jahteve në Orikum me tunelin e Llogarasë.