Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania legalizon kanabisin, nga 1 prilli hyjnë në fuqi ligjet e reja


Moshat mbi 18 vjeç tani mund të mbajnë deri në 25 gram kanabis të tharë dhe të kultivojnë deri në tre bimë në shtëpi”, shkruan The Guardian. Ky vendim është marrë pasi në Gjermani kanë hyrë në fuqi ligjet e reja. Që nga 1 prilli, të rriturit në Gjermani lejohen të mbajnë deri në 25 gr kanabis të tharë.

Ligjet e reja u shoqëruan me një debat të fortë për të mirat dhe të këqijat që mund të sjellë ky vendim. Sipas qeverisë ky vendim do të godasë tregun e fshehur dhe do të zvogëlojë përhapjen e kanabisit të kontaminuar, duke mbrojtur kështu të rinjtë.

Por nga ana tjetër ka pasur kritika për ndikimin e mundshëm te të rinjtë. Konsumimi i kanabisit nga kushdo nën 18 vjeç do të vazhdojë të jetë i paligjshëm.

Legjislacioni i ri ka gjithashtu disa masa mbrojtëse për të mbrojtur të rinjtë, duke përfshirë ndalimin e pirjes së duhanit të kanabisit brenda 100 metrave nga një shkollë, kopsht fëmijësh, shesh lojërash ose qendre sportive.

Ministri i shëndetësisë i Gjermanisë, Karl Lauterbach, ka premtuar një fushatë të madhe për të edukuar të rinjtë për rreziqet shëndetësore dhe për të nxitur programet parandaluese të keqpërdorimi.