Irani informoi Rusinë për mundësinë e një “operacioni të madh terrorist” në tokën e tij përpara masakrës në sallën e koncerteve pranë Moskës muajin e kaluar, thanë tre burime të njohura me këtë çështje.
Në sulmin më vdekjeprurës brenda Rusisë në 20 vjet, persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike ndaj pjesëmarrësve në koncert më 22 mars në sallën e qytetit Crocus, duke vrarë 144 njerëz në dhunën e marrë përsipër nga grupi militant Shteti Islamik.
Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar gjithashtu Rusinë paraprakisht për një sulm të mundshëm terrorist, por Moska, e cila ishte thellësisht mosbesuese ndaj qëllimeve të Uashingtonit, e hodhi poshtë këtë inteligjencë.
Megjithatë, është më e vështirë për Rusinë që të heqë dorë nga inteligjenca e një aleati diplomatik si Irani për sulmin, gjë që ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi efektivitetin e shërbimeve ruse të sigurisë. Moska dhe Teherani, të dyja nën sanksionet perëndimore, kanë thelluar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik gjatë luftës dyvjeçare në Ukrainë.
“Ditë përpara sulmit në Rusi, Teherani ndau informacion me Moskën për një sulm të mundshëm të madh terrorist brenda Rusisë, i cili u mor gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve në lidhje me bombat vdekjeprurëse në Iran”, tha një nga burimet për Reuters.
Irani arrestoi 35 persona në janar, duke përfshirë një komandant të degës me bazë në Afganistan të Shtetit Islamik, ISIS-Khorasan (ISIS-K), për të cilët tha se ishin të lidhur me dy bombat e 3 janarit në qytetin e Kermanit që vranë afro 100 njerëz.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimet në Iran, më të përgjakshmet që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Burimet e inteligjencës amerikane thanë se ISIS-K kishte kryer të dyja sulmet e 3 janarit në Iran dhe atë të 22 marsit në Moskë.
Shteti Islamik dikur pushtoi zona të mëdha të Irakut dhe Sirisë, duke imponuar një mbretërim terrori dhe duke frymëzuar sulme kamikaze në vendet perëndimore, por u shpall i mundur territorialisht në vitin 2017.
Megjithatë ISIS-K, një nga degët e tij më të frikshme, e ka ngritur sërish profilin e grupit me gjakderdhje në shkallë të gjerë.
ISIS-K, i quajtur sipas një termi të vjetër për një rajon që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, u shfaq në Afganistanin lindor në fund të vitit 2014 dhe shpejt krijoi një reputacion për brutalitet ekstrem.
Operacion i rëndësishëm
Një burim i dytë, i cili gjithashtu kërkoi anonimitetin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se informacionit që Teherani i dha Moskës për një sulm të afërt nuk kishte hollësi specifike në lidhje me kohën dhe objektivin e saktë.
“Ata, anëtarët e ISIS-K, u udhëzuan të përgatiteshin për një operacion të rëndësishëm në Rusi. Një nga terroristët e arrestuar në Iran, tha se disa anëtarë të grupit kishin udhëtuar tashmë në Rusi,” tha burimi i dytë.
Një burim i tretë, një zyrtar i lartë i sigurisë, tha: “Meqenëse Irani ka qenë viktimë e sulmeve terroriste për vite me radhë, autoritetet iraniane përmbushën detyrimin e tyre për të alarmuar Moskën bazuar në informacionin e marrë nga terroristët e arrestuar”.
I pyetur për raportin e Reuters, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën: “Unë nuk di asgjë për këtë”.
Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi këtë histori. Shtëpia e Bardhë nuk kishte asnjë koment për këtë çështje.
Një burim i njohur me inteligjencën amerikane për një sulm të afërt në Rusi tha se ai bazohej në përgjimet e “bisedimeve” midis militantëve të ISIS-K.
Duke kundërshtuar pohimet e SHBA-së, Rusia ka thënë se beson se Ukraina ishte e lidhur me sulmin, pa ofruar prova. Kievi e ka mohuar me forcë pohimin.
Shtetasit taxhikë
Sulmet në Kerman dhe afër Moskës përfshinin shtetas taxhikë. ISIS-K ka rekrutuar në mënyrë agresive nga ish-republika e varfër sovjetike e Taxhikistanit, thonë ekspertët e sigurisë.
Burimet thanë se Irani kishte diskutuar shqetësimet e tij të sigurisë me Taxhikistanin. Një burim diplomatik në Taxhikistan konfirmoi se Teherani kohët e fundit kishte diskutuar me Dushanbenë, çështjen e rritjes së përfshirjes së taxhikëve etnikë në aktivitetet militante.
Shteti Islamik ushqen një urrejtje të fortë për shiitët – sekti dominues i Iranit dhe gjithashtu objektivi i sulmeve të degëve të tij në Afganistan. Grupi i vijës së ashpër myslimane sunite i sheh shiitët si femohues.
Në vitin 2022 Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës në një faltore shiite në Iran që vrau 13 persona. Teherani e identifikoi sulmuesin si shtetas taxhik.
Sulmet e mëparshme të pretenduara nga Shteti Islamik përfshijnë dy bomba në vitin 2017 që kishin në shënjestër parlamentin e Iranit dhe varrin e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani