Gjeneral Brigade Mohammad Reza Zahedi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është vrarë në një sulm ajror izraelit në Damask, Siri.
Sulmi i së hënës shkatërroi një ndërtesë ngjitur me ambasadën iraniane në Damask, duke vrarë të paktën gjashtë persona, sipas Agjencisë Siriane të Lajmeve (SANA).
Mediat iraniane e identifikuan ndërtesën si konsullata iraniane dhe rezidenca e ambasadorit. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim identifikoi Zahedin, një komandant i lartë në Forcën Quds të IRGC-së, si një nga viktimat. Mësohet se është vrarë edhe zëvendësi i tij.
Sipas një korrespondenti të Reuters në Damask, konsullata ishte “rrafshuar”, në atë që u përshkrua si “një përshkallëzim befasues i dukshëm i konfliktit në Lindjen e Mesme”.
Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin. Ai rrallë i pranon sulmet e tij ajrore kundër Sirisë, të cilat Damasku i ka denoncuar vazhdimisht si shkelje të sovranitetit të saj.
Sulmi ndaj konsullatës është “shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare”, tha ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian në një telefonatë me homologun e tij sirian, sipas mediave iraniane. Ai shtoi se Teherani do e mbajë Izraelin përgjegjës. Ambasadori i Iranit në Siri tha se përgjigja do jetë “e ashpër”, sipas Reuters.
Forca Quds është krahu i inteligjencës ushtarake dhe operacioneve jokonvencionale të IRGC-së. Zahedi thuhet se ishte në krye të operacioneve të saj në Siri dhe Liban. Komandanti i saj më i famshëm, Gjenerali Qassem Soleimani, u vra në janar 2020 nga një dron amerikan, teksa vizitonte Bagdadin.
Një tjetër komandant i Forcave Quds, Gjenerali Razi Mousavi, u vra në Damask dhjetorin e kaluar, gjithashtu nga një sulm ajror izraelit që nuk u pranua zyrtarisht.