Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në Këlcyrë me 8 viktima. Në një deklaratë për mediat, Çipa shpjegoi se mjeti me emigrantë ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave dhe patrulla e policisë i ka bërë shenjë që të ndalojë.
Mjeti në këtë moment është kthyer për në drejtim të Përmetit duke u larguar me shpejtësi.
“Policia ka hasur një mjet që po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer dhe është nisur me drejtim nga qyteti i Përmetit. Patrulla e policisë me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes, ka informuar sallën operative për mjetin që ishte larguar në drejtim të Përmetit me shpejtësi. Rreth orës 03:55, duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur drejt Përmetit duke marrë edhe kontakte me qytetarët që i ka pyetur nëse kanë parë një mjet të tillë. Kanë nisur inspektimin e zonës dhe ka parë shenja të aksidentit rrugor dhe ka parë automjetin që ka rënë në anë të lumit Vjosa.
Drejtuesin e mjetit jemi ende duke punuar për ta identifikuar. Personat e tjera dyshohet se duhet të jenë emigrantë të paligjshëm. Nuk japim dot një konkluzion sa i përket shpejtësisë së automjetit. Numri i kufomave është i madh dhe si rezultat ka kryerjen e shumë ekzaminimeve për të marrë dhe administruar prova për identifikimin e personave dhe sqarimin e rrethanave”, tha Çipa.