Vendosni fjalën kyçe....

Bastisja e policisë në shtëpinë e presidentes për orët “Rolex”, zëvendësohen 6 ministra në Peru


Presidentja e Perusë zëvendësoi gjashtë ministra të hënën pasi ata dhanë dorëheqjen e papritur, mes një skandali të ri politik që përfshin orët luksoze që ajo zotëron, duke shtuar më shumë paqëndrueshmëri në politikën gjithnjë e më të vështirë të kombit të Amerikës së Jugut.

Një mori dorëheqjesh, përfshirë ministrin e Brendshëm, pasojnë një hetim të nisur mbi akuzat për pasurim të paligjshëm nga presidentja Dina Boluarte, e cila po hetohet për orët e saj “Rolex”.

Policia dhe prokurorët bastisën shtëpinë dhe zyrën e presidents duke kërkuar prova për origjinën e të paktën tre orëve “Rolex”. Boluarte ka mohuar keqbërjen dhe këmbënguli se ajo i bleu orët me paratë e saj.

Ministri i Brendshëm Victor Torres njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen të hënën, i cili u pasua me dorëheqje nga ministrat e Arsimit dhe Grave. Të gjithë shprehën mbështetje për Boluarte, me një që e quajti bastisjen e policisë në shtëpinë e presidentes “të panevojshme” dhe “të tepruar”.

“Po largohem në paqe, me duar të pastra”, u tha Torres gazetarëve, duke këmbëngulur se dorëheqja e tij ishte për “çështje familjare dhe shëndetësore”. Dy ministrat e tjerë nuk dhanë arsyet e dorëheqjes së tyre.

Të hënën në mbrëmje, Boluarte njoftoi tre dorëheqje shtesë nga kabineti i saj, duke përfshirë ministrat e Prodhimit, Tregtisë dhe Bujqësisë. Ajo emëroi gjashtë ministra të rinj, duke zëvendësuar afërsisht një të tretën e kabinetit të saj prej 19 ministrash brenda një dite.

Midis emërimeve të reja, Walter Ortiz, i cili më parë drejtoi njësinë e krimit të organizuar të ministrisë së Brendshme, do marrë tani detyrën si minister.

Dorëheqjet vijnë pasi kryeministri i emëruar nga presidentja Boluarte, i cili mori detyrën muajin e kaluar, synon të fitojë një votë mbështetjeje nga Kongresi, siç është zakon, me qeverinë e presidentes së frikësuar se organi legjislativ i kontrolluar nga opozita mund t’i mohojë kryeministrit mbështetjen.

Ish-zëvendëspresidentja Boluarte u ngjit në presidencë në fund të vitit 2022 si presidente e gjashtë në gjashtë vjet pas shkarkimit dhe arrestimit të Presidentit Pedro Castillo me akuza për rebelim dhe komplot.