Është mbledhur sot Komisioni për Sigurinë Kombëtare.
Në fjalën e tij ministri Taulant Balla deklaroi se është kundër dhënies së provimit për gjuhën shqipe në mënyrë që të përfitojnë shtetësinë shqiptare, për shtetasit e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe diaspora, pasi ata kanë lindur shqiptarë.
Madje ai tha se do të ishte pro dhënies së shtetësisë për rastet e sportistëve poshtë 18 vjeç.
Ai tha se duhet pranuar dekreti i presidentit Begaj por duhen votuar edhe një herë ligjet dhe dekretet.
“Ne do të mundësojmë në rastet e sportistëve që Ministria e Brendshme dhe Presidenca që të japin shtetësinë dhe nën moshën 18 vjeç. Këto i tejkalojnë ndasitë politike, Në këto momente që flasim na dëgjojnë vëllezërit në diasporë, Kosovë, Mal i Zi apo Maqedoni.
Ata kanë lindur shqiptarë, flasin gjuhën shqipe, ndaj s’kanë pse të bëjnë provim të gjuhës shqipe. E tejkaloj përtej pozicionit që mbaj. Ligjvënësi e ka dhënë vullnetin e tij. Është shprehur me 96 vota në tërësi dhe nuk gjej dot arsye që disa kolegë deputetë nuk janë shprehur. Sa kohë që edhe nen për nen nuk ka pasur asnjë votë kundër, në praktikën parlamentare, nenet votohen me votim të hapur, ky është një shqetësim i drejtë që ka presidenti i republikës dhe ta pranojmë dekretin. Të votojmë dhe një herë ligjin dhe dekretet. Meqë këtu janë përfaqësues të presidentit të marrim aprovimin që të hyjë për miratim ditën e enjte.”, tha Balla.