Vendosni fjalën kyçe....

Google do fshijë të dhënat e shfletimit “incognito” pas padisë për shkelje të privatësisë


Google ra dakord të shkatërrojë miliarda të dhëna për të zgjidhur një padi me pretendimin se gjurmonte fshehurazi përdorimin e internetit të njerëzve, ndërkohë që ata mendonin se po shfletonin privatisht.

Kushtet e marrëveshjes u dorëzuan të hënën në gjykatën federale të Oakland, Kaliforni dhe kërkojnë miratim nga gjyqtarja e qarkut, Yvonne Gonzalez Rogers.

Avokatët e paditësve vlerësuan marrëveshjen në më shumë se 5 miliardë dollarë, deri në 7.8 miliardë dollarë. Google nuk paguan dëme, por përdoruesit mund të padisin kompaninë individualisht për dëme.

Aksioni në grup filloi në vitin 2020, duke mbuluar miliona përdorues të Google që përdorën shfletimin privat që nga 1 qershori 2016.

Përdoruesit pretenduan se analitika, cookies dhe aplikacionet e Google e lejojnë atë të gjurmojë në mënyrë të gabuar njerëzit që vendosin shfletuesin Chrome të Google në modalitetin “Incognito” dhe shfletuesit e tjerë në modalitetin “privat” të shfletimit.

Ata thanë se kjo e ktheu Google në një “trup të papërgjegjshëm informacioni” duke e lënë atë të mësonte për miqtë e tyre, ushqimet e preferuara, pasionet, zakonet e blerjeve dhe “gjërat më intime dhe potencialisht të sikletshme” që ata kërkojnë në internet.

Sipas marrëveshjes, Google do përditësojë zbulimet rreth asaj që mbledh në shfletimin “privat”, një proces që tashmë ka filluar. Ai gjithashtu do t’i lejojë përdoruesit “Incognito” të bllokojnë “cookies” të palëve të treta për pesë vjet.

“Rezultati është se Google do mbledhë më pak të dhëna nga seancat e shfletimit privat të përdoruesve dhe se Google do fitojë më pak para nga të dhënat,” shkruajnë avokatët e paditësve.

Zëdhënësi i Google, Jose Castaneda tha se kompania ishte e kënaqur të zgjidhte padinë, të cilën e konsideronte gjithmonë të pabazë.

“Ne kurrë nuk i lidhim të dhënat me përdoruesit kur ata përdorin modalitetin “Incognito”, tha Castaneda.

“Ne jemi të lumtur të fshijmë të dhënat e vjetra teknike që nuk janë lidhur kurrë me një individ dhe nuk janë përdorur kurrë për asnjë formë personalizimi.”