Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë në një shkollë në Finlandë, mes nxënësve të plagosur dhe një vajzë nga Kosova


Një fëmijë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë nga të shtënat në një shkollë në Finlandë, thotë policia, përcjell BBC.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të plagosurve nga sulmi në është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Në njoftim bëhet e ditur se MPJD-ja, përmes ambasadës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet finlandeze dhe me familjen e vajzës së plagosur.

“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, thuhet në njoftim.

Policia finlandeze tha se të tre viktimat ishin rreth 12 vjeç dhe se një i dyshuar, gjithashtu i moshës 12 vjeç, kishte ikur por më vonë ishte arrestuar.

Prindërit i thanë mediave finlandeze se të shtënat kishin ndodhur në një klasë në shkollën Viertola në Vantaa, në veri të kryeqytetit, Helsinki.

Mësohet se i dyshuari ka përdorur një armë me leje për një të afërm të tij. Pronësia e armëve është e përhapur në Finlandë dhe fëmijët mbi 15 vjeç mund të kenë licenca për të përdorur armë zjarri të njerëzve të tjerë.