Një zjarr përfshiu një klub nate në Stamboll të martën gjatë punimeve për restaurimin e tij, duke bllokuar punonjësit e klubit dhe kontraktorët që punonin. Njoftohet për të paktën 29 të vdekur. Disa individë, përfshirë edhe menaxherët e klubit, u ndaluan nga organet e rendit për t’u marrë në pyetje. Zyra e guvernatorit tha se një individ me lëndime të rënda po trajtohej në spital.
Klubi i natës “Masquerade”, i mbyllur për rinovime, ndodhej në katet përdhese dhe në bodrumet e një ndërtese banimi 16-katëshe në lagjen Beshiktash në anën evropiane të Stambollit.
Flakët e zjarrit arritën deri në katin e tretë të ndërtesës përpara se të shuhej, treguan pamjet filmike.
Guvernatori Davut Gul u tha gazetarëve në vendngjarje se shkaku i zjarrit po hetohej dhe se viktimat besohej se ishin punonjës të ndërtimit të përfshirë në rinovimin e klubit. Agjencia private e lajmeve DHA identifikoi një nga viktimat si punonjës të klubit të natës.
Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes tregonin flakët që shpërthenin nga ana e ndërtesës, zjarrfikësit që luftonin me zjarrin në hyrje të klubit dhe të tjerë që mbanin një viktimë në një barelë drejt një ambulance. Në vendngjarje shkuan disa zjarrfikëse.
Stacioni televiziv privat NTV njoftoi se disa nga viktimat vdiqën në spital pasi u nxorën nga zjarri.
Autoritetet ndaluan tetë vetë për t’i marrë në pyetje, përfshirë menaxherët e klubit dhe një person përgjegjës për rinovimet, tha zyra e zotit Gul. Asnjë zyrtar i klubit nuk mund të kontaktohej për koment.