Intimidimet dhe dhuna ndaj gazetarëve nuk kanë vend në demokraci, tha ambasadori i BE në Shqipëri Silvio Gonzato.
Gjatë një takimi me gazetarët, ai theksoi se vendet që nuk kanë liri të fjalës, nuk janë gati për në BE.
“Është fakt që në progres raportin e 2023 ne theksuam disa shqetësime siç është ndërthurja mes mediave, biznesit dhe interesave politike që është një situatë e pashëndetshme. Diskutuam për pronësinë e medias e cila ndikon në cilësinë dhe pavarësinë e gazetarisë. Theksuam gjithashtu nevojën për forcimin e institucioneve kryesore të pavarësisë, si rregullatorin e medias dhe transmetuesin publik. Vumë në dukje dhe rastet e intimidimit dhe dhunës së gazetarëve që nuk kanë vend në demokraci. Të gjitha këto çështje janë thelbi i negociatave me Shqipërinë për hapjen e negociatave. Për ne liria e fjalës është një indikator i qartë që një vend është gati për BE.
Të krijohet një mjedis ku dezinformimi, autocensura të mos të luëlzojnë. Gazetarët duhet të gëzojnë stabilitet punësimi dhe përftime ekonomike, pa të cilat liria e tyre është në rrezik. Vendimtare është që ju personalisht të angazhoheni për të thënë të vërtetën. Presim të shohim një treg mediatik të pavarur, rregullator të pavarur, transparencë në pronësinë e mediave.
Duhet të ketë rregulla të qarta për financimin e mediave dhe reklamat publike. Mesazhi që BE ka dhënë është i qartë. Qeveritë dhe autoritetet publike janë të parët që kanë përgjegjësi për të krijuar një mjedis të favorshëm për median dhe kjo vlen dhe për Shqipërinë“, tha Gonzato.