Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha ngriti zërin sot në një konferencë urgjence për shtyp atë që ai e quan strukturë paralele për monitorimin dhe kontrollin e SPAK-ut.
Sipas tij qeveria kërkon që nëpërmjet një komisioni monitorimi të vendosë nën kontroll prokuorinë e posaçme e cila është e vetmja instancë sipas Bashës që nuk është nën kontrollin e qeverisë.
Basha thotë se PD-ja qëndron kundër përpjekjeve të qeverisë me aleatët në pazar duke nënkuptuar “Rithemelimin”, për të filluar presionet ndaj SPAK.
“Ndodhemi para një përpjekjeje sa absurde aq edhe tinëzare për të ndërtuar struktura paralele. Me të njëjtin zell siç ndërtohen dhe financohen strukturat paralele në veri të Kosovës. Është e pakuptueshme kur kjo ndodh në një vend i cili ka detyrime të qarta të veprojë, të cilat nuk i zbaton, karshi qytetarëve dhe aleatëve të vetë. Struktura e parë paralele që është paralajmëruar që në janar është një komision monitorimi për SPAK, kjo ide ka ngritur sërish kokën dhe vazhdon të qarkullojë me kokëfortësi si një përpjekje absurde antikushtetuese për të vendosur në kontroll politik të vetmen instancë që duket se është jashtë kontrollit të qeverisë.
E kanë bërë në një mënyrë poshtë rrogozit, është hequr lajmi nga disa portale. PD qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të mazhorancës me aleatë të fshehur, në Pazar apo jo për të filluar presionet e hapura ndaj SPAK. Kushtetuta dhe Parlamenti janë të qartë, instrumentet për të garantuar balancën mes institucioneve janë të qarta në ligje. Krijimi i një institucioni monitorimi për SPAK për ne është i papranueshëm. Jam i sigurt se ky është një qëndrim që ndahet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë që kanë pritshmëri nga SPAK.
Ana tjetër e kësaj medalje është paniku ndërkohë që SPAK ka dhënë rezultatet e para në raport me figura të pushtetshme të mazhorancës. Dua t’u jap një sinjal të qartë atyre që qëndrojnë pas kësaj, PD nuk e ka humbur vigjilencën ndaj këtij plani diabolik që kërkon të godasë shpresën e fundit të shqiptarëve për të ndëshkuar pandëshkueshmërinë”, u shpreh Basha.