Vendosni fjalën kyçe....

Çelja e Qendrës së Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, Peleshi: Shumë shpejt do të japim produktet e para inovative


Gjatë ceremonisë së hapjes së Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi këtë si një hapje të një faqeje të re në Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

“Është një faqe modernizimi , është një kalim në një fazë të re të zhvillimit të Shqipërisë që po i bashkohemi edhe ne. Është mishërim i vizionit të Kryeministrit Rama për futjen  e zhvillimeve në Shqipëri në lëvizjen për inovacion”, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas ministrit Pekeshi, “Një vend me zhvillim si Shqipëria ka nevojë për të kapërcyer dhe për të rritur ritmin me ndihmën e teknologjive të reja, me ndihmën e fuqisë intelektuale të kombit shqiptar. Ndaj ne sot jemi krenarë që i bashkohemi kësaj lëvizje dhe premtojmë që shumë shpejt do të japim produkett e para inovative që do të jenë edhe model frymëzues besoj për të rinjtë shqiptarë që na janë bashkuar në Forcat e Armatosura, por edhe për të rinjtë e tjetër që të kuptojnë që e ardhmja mund të ndërtohet këtu”. Ministri i Mbrojtjes tha se kjo qendër është pjesë e rrjetit të qendrave të ekselencës së NATO-s, duke qenë se Shqipëria është vend anëtar. “Qendrat e ekselencës së NATO-s, si anëtarë të Aleancës janë qendrat tona të ekselencës. Jemi pjesë e një network-u, që ndërveprojmë, rrisim kapacitetet tona të trajnimit, jemi në konkakt me të rejat e fundit të Inteligjencës Artificiale, teknologjive të reja, të cilat kanë për qëllim të na ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve tona të sigurisë dhe mbrojtjes, të ndërtojmë më shumë fuqi mbrojtëse me më pak burime”, u shpreh Ministri Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi, në këtë qendër trajnohet modeli shqiptar i Inteligjencës Artificiale, duke përdorur dy teknologjitë; dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 dhe flotiljen e dronëve Bayraktar, imazhet e të cilëve analizohen sipas interesave të sektorëve.