Vendosni fjalën kyçe....

Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor në Shëndetësi, mungojnë deputetët socialist


Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, e paraparë për ditën e sotme, dështoi pasi anëtarët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhje. Në këtë takim pritej të miratohej një kërkesë për informacione, por socialistët nuk e pranuan nevojën për mbledhjen.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, duke e parë se karriget e anëtarëve socialistë ishin bosh, i akuzoi ata se po përpiqeshin të bllokonin punën e komisionit në lidhje me dy koncesionet, sterilizimin dhe check-up-in.

‘Po tenton të pengojë punën, në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur hile, pretekste të paqena. Bazuar në rregullore unë do njoftoj mbledhjen e ardhshme ditën e premte. Kam marrë firmat e deputetëve të opozitës, dhe mbledhja do thirret të premten. Kam njoftuar një konferencë për shtyp.’- tha Vokshi.

Ndërkaq, nënkryetari Plarent Ndreca, në një deklaratë për Report Tv, shpjegoi se socialistët nuk u paraqitën pasi nuk kishte një vendim të caktuar për mbledhjen. Sipas tij, kryetarja Vokshi kishte refuzuar të fliste ditën e mëparshme për pikën e fundit të rendit të ditës, që parashikonte planifikimin e mbledhjes së radhës.

“Nuk ka vendim nga Komisioni për mbledhje sot. Ka qenë pika e fundit e rendit të ditës që Vokshi refuzoi ta diskutonte”, tha Ndreca në një reagim për Report Tv.