Vendosni fjalën kyçe....

Forcimi i Lekut rriti më tej humbjet e Bankës së Shqipërisë për vitin 2023


Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor e thelloi më shumë humbjen e Bankës së Shqipërisë vitin e kaluar.

Sipas pasqyrave të audituara financiare të bankës qendrore, humbja neto për vitin financiar 2023 arriti vlerën e 27 miliardë lekëve, në rritje me 53% krahasuar me vitin 2022.

Gjatë vitit 2023, Leku shënoi mbiçmimin më të fortë historik në kursin e këmbimit me Euron dhe shumicën e valutave të tjera të huaja. Në fund të vitit 2023, rënia vjetore e kursit të Euros ndaj Lekut ishte në nivelin 9.1%.

Zhvlerësimi i valutave shkaktoi rënie të mëtejshme të vlerës së mjeteve të rezervës valutore të mbajtura në valutë të huaj. Për vitin 2023, humbjet nga kursi i këmbimit arritën në 36 miliardë lekë, në rritje me 140% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, nëse i referohemi rezultatit të të ardhurave gjithëpërfshirëse (që përfshijnë zërat që nuk klasifikohen si pjesë e fitimit ose humbjes së vitit ushtrimor), viti 2023 shënoi një përmirësim krahasuar me një vit më parë.

Totali i humbjes gjithëpërfshirëse zbriti në vlerën e 15.5 miliardë lekëve, afërsisht sa gjysma e humbjeve gjithëpërfshirëse të raportuara në fund të vitit 2022.

Ky përmirësim ka ardhur si rezultat i rritjes së vlerës së drejtë të letrave me vlerë të borxhit gjatë vitit të kaluar. Në vitin 2022, rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve shkaktoi zhvlerësim të fortë të titujve të borxhit të mbajtur nga banka qendrore.

Gjatë vitit 2022, yield-et, veçanërisht për instrumentet në monedhën vendase, pësuan rënie. Kjo solli rritjen e çmimit të instrumenteve financiare dhe rrjedhimisht përmirësoi rezultatin e të ardhurave gjithëpërfshirëse të Bankës së Shqipërisë.

Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë e mbylli vitin 2023 për herë të parë në historinë e saj me kapital negativ, në vlerën e rreth 16.7 miliardë lekëve. Arsyeja kryesore ishte thellimi i balancës negative në zërin e rezervave të rivlerësimit të parealizuara.

Gjendja e këtij zëri në fund të vitit ishte negative për pothuajse 57 miliardë lekë, në rritje me 76% krahasuar me një vit më parë. Arsyeja kryesore ishte pikërisht forcimi i Lekut dhe zhvlerësimi i valutave të huaja dhe arit monetar në rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë.

Sipas shënimeve të pasqyrave financiare, në 31 dhjetor 2022, Banka e Shqipërisë regjistroi në zërin “rezerva për mbulimin e pamjaftueshmërisë së mjeteve” titullin e borxhit të emetuar nga Ministria e Financave me vlerë nominale 6.02 miliardë lekë, pasi totali i kapitalit themeltar dhe detyrimeve të Bankës tejkalonte mjetet e saj në vlerën 3.433 miliardë lekëve.

Për vitin 2023, nuk është raportuar një shtesë e re në këtë zë, megjithëse gjendja negative e kapitalit është thelluar.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vitin e kaluar është shprehur se humbjet në bilanc janë pasoja kalimtare të procesit të normalizimit të normave të interesit dhe nuk e cenojnë aspak aftësinë e bankave qendrore për të përmbushur mandatin e tyre.

Guvernatori Sejko u shpreh se ndikimi i këtyre politikave në bilancin e Bankës së Shqipërisë prodhon edhe kosto negative, por ato janë kalimtare, sepse burojnë nga parime kontabiliteti dhe jo humbje finale të aseteve. Sipas tij, këto kosto do të rikuperohen gradualisht me kalimin e kohës./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor