Policia e Finlandës ka konfirmuar që në sulmin që ndodhi të martën kanë mbetur të lënduara rëndë dy vajza, një prej të cilave është shqiptare nga Kosova.
Siç thuhet në raportin e Policisë vajza nga Kosova është e shtruar në spital pasi ka marrë lëndime të rënda, përcjellin mediat e huaja.
“I vrarë nga të shtënat në shkollë është një djalë. Dy personat e plagosur rëndë janë vajza, të dyja ende të shtruara në spital. Djali i ndjerë është shtetas finlandez dhe një nga viktimat e shtruara në spital është dyshtetësi i Finlandës dhe Kosovës. Viktima tjetër e shtruar në spital është gjithashtu një shtetas finlandez”, thuhet në njoftimine Policisë.
Përndryshe, të martën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Stokholm kishte arritur ta konfirmojë këtë rast ku e lënduar ka mbetur një vajzë nga Kosova.
“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, është thënë në njoftim.