Vendosni fjalën kyçe....

Shkodër, përfundoi në spital me një plumb në bark, zbardhet ngjarja ku u plagos 27-vjeçari


Zbardhet ngjarja në Shkodër, ku një i ri përfundoi i plagosur me një plumb në bark në spitalin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi mbrëmë në aksin Shkodër-Velipojë mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:45 në vendin e quajtur ura e Gjo Lulit në zonën e Mali Kolaj. I plagosur ka mbetur shtetasi Emiljano Paloka, 27 vjeç banues në fshatin Pulaj në Velipojës, në zonën e plazhit. Menjëherë 27-vjeçari është dërguar drejt spitalit rajonal të Shkodrës duke iu nënshtruar një operacioni ndërsa ndodhet në repartin e reanimacionit në një gjende stabël por nën kujdesin e mjekëve.

Mësohet se Paloka ka marrë një plumb në pjesën e barkut ndërsa ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve 27-vjeçari ndodhej brenda automjetit bashkë me dy shokë të tij dhe plagosja ka ndodhur brenda në makinë ku është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se plagosja e shtetasit Emiljano Paloka ka ndodhur padashje nga një prej shokëve të tij në një shkrepje të pavetëdijshme të armës në lojë e sipër brenda automjetit.

Pas plagosjes menjëherë i riu është transportuar drejt spitalit të Shkodrës nga dy shokët e tij me të cilët ndodhej dhe pasi e kanë lënë në urgjencë janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka identifikuar këta dy shtetas dhe po punon për gjetjen e tyre lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë plagosja ndodhi mes errësirës në aksin Shkodër-Velipojë në një vend ku nuk ka as kamera sigurie ndërkohë që në atë orar nuk ka patur as dëshmitarë përveç dy shokëve të 27-vjeçarit që ndodheshin brenda makinës sëbashku me të. Policia dhe prokuroria janë duke punuar për zbardhjen e plotë të plagosjes së shtetasit Emiljano Paloka.