Vendosni fjalën kyçe....

Si ndodhi sulmi izraelit në Gaza ku u vranë 7 punonjësit e organizatës bamirëse, çfarë dihet, reagimet


Udhëheqësit botërorë kanë shfryrë zemërimin ndaj Izraelit pas një sulmi “të egër” me dron mbi një kolonë punonjësish nga organizata bamirëse World Central Kitchen, ku u vranë 7 punonjës, përfshirë tre heronj të forcave të armatosura britanike.

Karvani i ndihmave prej tre makinash, që ishin shënuar qartë se punonin për organizatën humanitare dhe lëviznin përgjatë një rruge të miratuar nga IDF, u shpërthye në një sulm me “goditje të trefishtë” të hënën.

Veprimet e Izraelit kanë shkaktuar dënim ndërkombëtar, me krerë në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Poloni, Kanada dhe Australi, vendet nga të cilët ishin punonjësit e huaj të organizatës.

Midis udhëtarëve në autokolonën e ndihmave ishin ish-marinsi britanik James Henderson, 33 vjeç; ish-ushtari i SBS-së, John Chapman, 57 vjeç; si dhe një veteran ushtarak britanik i identifikuar si James Kirby.

Britania thirri ambasadorin izraelit në Londër dhe ka kërkuar “përgjegjësi të plotë” për vdekjet, të cilat Sekretari i Jashtëm David Cameron e përshkroi si “plotësisht të papranueshme”.

Izraeli ka kërkuar falje për atë që e quajti “një gabim i rëndë” dhe tha se po heton incidentin. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tani mund të pezullojë shitjet e armëve në Izrael pasi të ketë vërtetuar të gjitha faktet e incidentit, thuhet se kanë thënë burime të brendshme.

Me numrin në rritje tw të vdekurve në Gaza, me më shumë se 32,000 të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, një numër i madh punonjësish humanitarë janë vrarë në luftë.

Të paktën 196 punonjës të ndihmës, përfshirë 175 anëtarë të stafit të OKB-së, janë vrarë që nga 7 tetori, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se shtatë viktimat në karvanin e ndihmave të ËCK “i bashkohen një numri rekord punonjësish humanitarë që janë vrarë në këtë luftë të veçantë”.

Në një deklaratë të formuluar ashpër, presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se Izraeli “nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur punonjësit e ndihmave që përpiqen të ofrojnë ndihmën e nevojshme dëshpërimisht për civilët”.

Ai bëri thirrje për një hetim “të shpejtë” për të sjellë përgjegjësi ndaj asaj që ai tha se nuk ishte një “incident i pavarur”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e quajti sulmin ‘të pandërgjegjshëm’ por ‘një rezultat të pashmangshëm të mënyrës se si po zhvillohet lufta’.

“Ajo tregon edhe një herë nevojën e menjëhershme për një armëpushim të menjëhershme humanitar.”

Profesori Ben Saul, Raportuesi Special i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndërsa lufton terrorizmin, sugjeroi se vrasja e punëtorëve të WCK-së mund të ishte një krim lufte.

“Është një tragjedi njerëzore. Por sigurisht, mund të jetë një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar, sipas të cilit Izraeli ka për detyrë të mos synojë qëllimisht punonjësit e ndihmave humanitare ose autokolonat e tyre ose dërgesat e tyre të ndihmave”, tha ai.

Polonia ndërkohë tha se “nuk pajtohet me mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mbrojtjen e civilëve, përfshirë punëtorët humanitarë”, dhe kërkoi kompensim për familjet e stafit të vrarë të WCK-së.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha sot se sulmi vdekjeprurës dhe reagimi i qeverisë izraelite ndaj incidentit po tensiononin lidhjet midis dy vendeve.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut izraelit Benjamin Netanyahu dhe të dërguarit të Izraelit në Varshavë, Tusk postoi në X: “Sot, ju po e vini në provë këtë solidaritet. Sulmi tragjik kundër vullnetarëve dhe reagimi juaj po prodhon një zemërim të kuptueshëm.”

Papa Françesku ka shprehur ‘dhimbjen e tij të thellë’ për vdekjet gjatë audiencës së tij javore në Vatikan dhe tha: “Lutem për ta dhe familjet e tyre.”

Ai rinovoi apelin e tij për qasje në ndihma humanitare për ‘popullsinë civile të rraskapitur dhe të vuajtur’ të Gazës dhe për lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka bërë një telefonatë me Netanyahun, në të cilën tha se ai ishte i tmerruar nga vrasjet dhe kërkoi një hetim të pavarur të plotë dhe transparent.

Një zëdhënës i Doëning Street tha: “Kryeministri foli me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, këtë mbrëmje.”

Ai tha se ishte i tmerruar nga vrasja e punonjësve të ndihmës, duke përfshirë tre shtetas britanikë, në një sulm ajror në Gaza dje dhe kërkoi një hetim të plotë dhe transparent të pavarur për atë që ndodhi.

“Kryeministri tha se shumë punonjës të ndihmës dhe civilë të zakonshëm kanë humbur jetën në Gaza dhe gjendja është gjithnjë e më e patolerueshme.”

Mbretëria e Bashkuar pret të shohë veprime të menjëhershme nga Izraeli për t’i dhënë fund kufizimeve për ndihmën humanitare, për të mos konfliktuar me OKB-në dhe agjencitë e ndihmës, për të mbrojtur civilët dhe për të riparuar infrastrukturën jetike si spitalet dhe rrjetet e ujit.

“Kryeministri përsëriti se qëllimi i drejtë i Izraelit për të mposhtur Hamasin nuk do të arrihet duke lejuar një katastrofë humanitare në Gaza.”

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Lord Peter Ricketts, i tha BBC-së se Britania e Madhe duhet të ndalojë shitjen e armëve Izraelit, duke thënë: “Unë mendoj se ka ardhur koha për të dërguar këtë sinjal.

“Mendoj se ka prova të shumta tani që Izraeli nuk është kujdesur mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet e tij për sigurinë e civilëve.”

Ai tha se ndalimi i shitjeve të armëve do dërgonte një ‘mesazh të fuqishëm politik’ që mund të ngjallte debat në lidhje me shembullin e SHBA-së, që do të ishte ‘ndryshuesi i vërtetë i lojës’.

Ekspertët presin që të rritet presioni mbi Izraelin për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme, e cila tani është zvarritur për gjashtë muaj.

Por Izraeli vijon të deklarojë qëllimet e tij – të zhdukë Hamasin dhe të sjellë pengjet e mbetura në shtëpi – edhe pse forcat e tij kanë përfshirë dhe shkatërruar pjesën më të madhe të Rripit të Gazës.

Oficeri më i lartë izraelit kërkoi ndjesë për “gabimin e rëndë” pasi forcat e tij vranë shtatë punonjës të ndihmave, përfshirë tre veteranë ushtarakë britanikë, pas sulmit ndaj tre makinave të organizatës bamirëse në Gaza. Ish-marinsat britanikë James Henderson dhe John Chapman dhe një ish-ushtar i quajtur James Kirby ishin ndër viktimat e sulmit me dron, që ka shkaktuar dënim në mbarë botën.

Ekipi, i cili po garantonte sigurinë për organizatën bamirëse World Central Kitchen (WCK), u godit të hënën teksa lëvizte ushqimin nga një magazinë për t’ia shpërndarë popullatës së uritur të Gazës.Shefi i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) Herzi Halevi ka shprehur keqardhjen për vrasjet, të cilat ai thotë se ishin rezultat i një “identifikimi të gabuar” në kushte të ndërlikuara. Ai nuk dha hollësi të tjera.

Gjenerallejtënant Halevi pranoi se bombardimi “nuk duhej të kishte ndodhur” dhe tha se një organ i pavarur do kryente një “hetim të plotë” që do përfundonte në ditët në vijim.

Agjencitë e ndihmës akuzuan Izraelin për shënjestrimin e qëllimshëm të stafit të tyre, ndërsa ekspertët, përfshirë raportuesin special të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe kundër terrorit, kanë paralajmëruar se vrasja e punëtorëve të WCK mund të jetë një krim lufte.

“Ky incident ishte një gabim i rëndë,” tha Gjenerallejtënant Halevi në një video-mesazh të postuar në X herët në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa njoftoi rezultatet e “përmbledhjes paraprake” të IDF-së për vrasjet.

“Dua të jem shumë i qartë, sulmi nuk është kryer me qëllim të dëmtimit të punonjësve të ndihmës WCK. Ishte një gabim që pasoi një identifikim të gabuar. Natën gjatë një lufte në kushte shumë të ndërlikuara. Nuk duhej të kishte ndodhur.”Ai shtoi: “Izraeli është në luftë me Hamasin, jo me popullin e Gazës”.

Ai tha se ka vizituar Qendrën e re të Komandës Humanitare që u krijua të martën për të “përmirësuar mënyrën se si ne bashkërendojmë shpërndarjen e ndihmave në Gaza’.

“Ne do vazhdojmë të ndërmarrim veprime të menjëhershme për të siguruar që të bëhet më shumë për të mbrojtur punonjësit e ndihmave humanitare,” tha ai, duke shtuar se IDF-së “i vjen keq për dëmtimin e paqëllimshëm të anëtarëve të WCK”.

Kreu i IDF-së Herzi Halevi

World Central Kitchen tha se ishte bashkërenduar me ushtrinë izraelite mbi lëvizjen e makinave të saj. Tre automjete që lëviznin në largësi nga njëra-tjetra janë goditur me radhë. Të paktën një nga automjetet kishte logon e bamirësisë së printuar në çatinë e saj për ta bërë atë të identifikueshme nga ajri.

Sulmi, të cilin një burim ushtarak izraelit e ka cilësuar si “dështim të inteligjencës”, është kryer me dron përmes një operatori në Brigadën 933 që ishte me bazë në Khan Yunis, raportoi The Telegraph.

Sulmi thuhet se duhet të ishte nënshkruar nga tre zyrtarë, përfshirë një oficer të inteligjencës, një komandant të lartë dhe një këshilltar ligjor ushtarak.Burimet izraelite të sigurisë i thanë gazetës Haaretz se dronët e IDF-së kishin ndjekur kolonën ushqimore dhe ushtria kishte arsye të besonte se një operativ i Hamasit po udhëtonte me grupin.

Inteligjenca e mëvonshme ka zbuluar se i dyshuari për terrorizëm kishte qëndruar pas kur kolona doli nga magazina e saj në Deir Al-Balah, thanë persona të brendshëm.

“Personi i armatosur nuk doli nga magazina”, raportoi gazeta, duke cituar burime të mbrojtjes.

“Makinat udhëtuan përgjatë një rruge të paramiratuar dhe të bashkërenduar me IDF-në.

Sulmet në autokolonën e bamirësisë theksuan atë që kritikët thonë se është bombardimi pa kriter i Izraelit dhe mungesa e vëmendjes për viktimat civile në Gaza.

Autoritetet izraelite fajësojnë Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse luftëtarët veprojnë në zona të populluara.

WCK tha se ishte në zi për humbjen e shtatë ‘heronjve’ të saj, duke i emëruar ata të mërkurën si palestinezi Saifeddine Issam Ayad Abutaha, 25 vjeç; australiania Lalzawmi (Zomi) Frankcom, 43 vjeç; polaku Damian Sobol, 35 vjeç; amerikano-kanadezi Jacob Flickinger, 33 vjeç; dhe britanikët John Chapman, 57 vjeç, James (Jim) Henderson, 33 vjeç dhe James Kirby, 47 vjeç.

“Këta 7 shpirtra të bukur u vranë nga IDF në një sulm teksa po ktheheshin nga një mision i plotë njëditor,” tha kreu i WCK-së, Erin Gore.

Organizata e quajti sulmin një “sulm në shënjestër” dhe tha se ekipi i saj kishte bashkërenduar lëvizjet e saj me forcat izraelite.

“Ky nuk është vetëm një sulm kundër WCK, ky është një sulm ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte,” tha Gore në një deklaratë të mëparshme.

Gaza ka qenë nën bllokadë izraelite që nga fillimi i luftës, me Kombet e Bashkuara që akuzojnë Izraelin për pengimin e dërgesave të ndihmave humanitare dhe paralajmërimin për urinë ‘katastrofike’.

World Central Kitchen po lehtësonte sigurimin e furnizimeve të sjella nga deti nga Qipro.

Pas sulmit, ajo tha se po pezullonte operacionet e saj në rajon, duke thelluar shqetësimet se si ndihma ushqimore e nevojshme urgjente do arrijë një popullsi të uritur.

Lufta më e përgjakshme e Gazës shpërtheu me sulmin e Hamasit më 7 tetor, i cili rezultoi në rreth 1,160 të vdekur në Izrael, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së të shifrave zyrtare izraelite.

Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 32,916 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi.

Gjatë sulmit të tyre ndaj Izraelit, militantët palestinezë kapën gjithashtu rreth 250 pengje. Izraeli beson se rreth 130 mbeten në Gaza, duke përfshirë 34 të cilët supozohen të vdekur.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Daily Mail