Oficeri më i lartë izraelit kërkoi ndjesë për “gabimin e rëndë” pasi forcat e tij vranë shtatë punonjës të ndihmave, përfshirë tre veteranë ushtarakë britanikë, pas sulmit ndaj tre makinave të organizatës bamirëse në Gaza, shkruan Daily Mail.
Ish-marinsat britanikë James Henderson dhe John Chapman dhe një ish-ushtar i quajtur James Kirby ishin ndër viktimat e sulmit me dron, që ka shkaktuar dënim në mbarë botën.
Ekipi, i cili po garantonte sigurinë për organizatën bamirëse World Central Kitchen (WCK), u godit të hënën teksa lëvizte ushqimin nga një magazinë për t’ia shpërndarë popullatës së uritur të Gazës.
Shefi i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) Herzi Halevi ka shprehur keqardhjen për vrasjet, të cilat ai thotë se ishin rezultat i një “identifikimi të gabuar” në kushte të ndërlikuara. Ai nuk dha hollësi të tjera.
Gjenerallejtënant Halevi pranoi se bombardimi “nuk duhej të kishte ndodhur” dhe tha se një organ i pavarur do kryente një “hetim të plotë” që do përfundonte në ditët në vijim.
Agjencitë e ndihmës akuzuan Izraelin për shënjestrimin e qëllimshëm të stafit të tyre, ndërsa ekspertët, përfshirë raportuesin special të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe kundër terrorit, kanë paralajmëruar se vrasja e punëtorëve të WCK mund të jetë një krim lufte.
“Ky incident ishte një gabim i rëndë,” tha Gjenerallejtënant Halevi në një video-mesazh të postuar në X herët në mëngjesin e së mërkurës, ndërsa njoftoi rezultatet e “përmbledhjes paraprake” të IDF-së për vrasjet.
“Dua të jem shumë i qartë, sulmi nuk është kryer me qëllim të dëmtimit të punonjësve të ndihmës WCK. Ishte një gabim që pasoi një identifikim të gabuar. Natën gjatë një lufte në kushte shumë të ndërlikuara. Nuk duhej të kishte ndodhur.”
Ai shtoi: “Izraeli është në luftë me Hamasin, jo me popullin e Gazës”.
Ai tha se ka vizituar Qendrën e re të Komandës Humanitare që u krijua të martën për të “përmirësuar mënyrën se si ne bashkërendojmë shpërndarjen e ndihmave në Gaza’.
“Ne do vazhdojmë të ndërmarrim veprime të menjëhershme për të siguruar që të bëhet më shumë për të mbrojtur punonjësit e ndihmave humanitare,” tha ai, duke shtuar se IDF-së “i vjen keq për dëmtimin e paqëllimshëm të anëtarëve të WCK”.
World Central Kitchen tha se ishte bashkërenduar me ushtrinë izraelite mbi lëvizjen e makinave të saj.
Tre automjete që lëviznin në largësi nga njëra-tjetra janë goditur me radhë.
Të paktën një nga automjetet kishte logon e bamirësisë së printuar në çatinë e saj për ta bërë atë të identifikueshme nga ajri.
Sulmi, të cilin një burim ushtarak izraelit e ka cilësuar si “dështim të inteligjencës”, është kryer me dron përmes një operatori në Brigadën 933 që ishte me bazë në Khan Yunis, raportoi The Telegraph.
Sulmi thuhet se duhet të ishte nënshkruar nga tre zyrtarë, përfshirë një oficer të inteligjencës, një komandant të lartë dhe jë këshilltar ligjor ushtarak.
Burimet izraelite të sigurisë i thanë gazetës Haaretz se dronët e IDF-së kishin ndjekur kolonën ushqimore dhe ushtria kishte arsye të besonte se një operativ i Hamasit po udhëtonte me grupin.
Inteligjenca e mëvonshme ka zbuluar se i dyshuari për terrorizëm kishte qëndruar pas kur kolona doli nga magazina e saj në Deir Al-Balah, thanë persona të brendshëm.
“Personi i armatosur nuk doli nga magazina”, raportoi gazeta, duke cituar burime të mbrojtjes.
“Makinat udhëtuan përgjatë një rruge të paramiratuar dhe të bashkërenduar me IDF-në.”
Sulmet në autokolonën e bamirësisë theksuan atë që kritikët thonë se është bombardimi pa kriter i Izraelit dhe mungesa e vëmendjes për viktimat civile në Gaza.
Autoritetet izraelite fajësojnë Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse luftëtarët veprojnë në zona të populluara.