Një turiste 80-vjeçare nga SHBA-ja ka humbur jetën pasi një elefant përmbysi makinën me të cilën po bënin safari në Zambia. 6 turistët dhe udhërrëfyesi ishin në një makinë në Parkun Kombëtar Kafue kur ndodhi incidenti.
Gruaja u dërgua me helikopter në një spital në Afrikën e Jugut me plagë të shumta po nuk mundi dot t’u mbijetonte plagëve. Katër turistë të tjerë u mjekuan për plagë më të lehta.
Një video e sulmit të elefantit, me sa duket e filmuar nga një prej turistëve, është shpërndarë në internet.
Kafsha shihet duke ndjekur makinën dhe pasi ajo ndalon, elefanti e përmbys.
Të mërkurën, Keith Vincent, kreu i ‘Wilderness’, kompania që po ofronte shërbimin, tha për ABC News se udhërrëfyesit e kompanisë “janë të gjithë jashtëzakonisht të stërvitur dhe me përvojë, por fatkeqësisht në këtë rast terreni dhe bimësia ishin të tilla që rruga e udhërrëfyesit u bllokua dhe ai nuk mundi ta largonte automjetin jashtë rrezikut aq shpejt sa duhej.”
Departamenti i Parqeve Kombëtare të Zambisë dhe policia lokale kanë nisur një hetim për incidentin. Autoritetet vendase dhe Ambasada e SHBA-së po punojnë për të riatdhesuar eshtrat e gruas, thanë zyrtarët e ‘Wilderness’.
Sipas ABC News, viktima u identifikua si Gail Mattson nga familja e saj. Më 18 mars, një tjetër automjet safari u ndesh me një elefant në Parkun Kombëtar Pilanesberg të Afrikës së Jugut. Nuk raportohet për të lënduar.