Vendosni fjalën kyçe....

Tetë të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës


Rusia i sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës më 4 prill, duke i vrarë tetë njerëz përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy ndërtesa banimi nga një sulm i dyfishtë, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti të “neveritshëm”.

Tre nga katër njerëzit e vrarë në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë dhe u goditën nga sulmi i dytë, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synyehuvov.

Së paku 12 njerëz u plagosën, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, tha ai.

“Sulmi cinik dhe i neveritshëm, kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e ngjarjes, terroristët sulmuan përsëri”, tha Zelensky në X, përcjell REL.

Yevhen Vasylenko, zëdhënës i Shërbimit Emergjent Shtetëror, tha për Radion Evropa e Lirë se ekipet e shpëtimit po tentonin t’i shpëtonin njerëzit e ngecur në një ndërtesë më të vogël në afërsi, kur armiku goditi përsëri me dronë.

Ai shtoi se ekipet e shpëtimit ia dolën ta shpëtojnë një civil të ngecur nën gërmadha.

“Zakonisht, punëtorët e ekipeve të shpëtimit strehohen nëse ka kërcënim për sulm të dytë, por sot, një person kishte ngecur nën rrënoja dhe i nevojitej ndihma, prandaj ishte e domosdoshme të veprohej menjëherë”, tha Vasylenko.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 20 dronë e sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit dhe se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore.

Në rajonin lindor të Donjeckut u vranë dy persona nga të shtënat ruse të artilerisë – një çift i martuar në të 50-at, tha zyra e prokurorit rajonal.

Një sulm tjetër e vrau një burrë në një traktor në rajonin e Harkivit, tha Synyehubov, ndërsa një elektricist u vra nga një sulm me bombë në rajonin Sumi, tha Ministria e Energjisë e Ukrainës.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA, shkroi më 3 prill se Rusia mund t’i rrisë sulmet raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, posaçërisht kundër rrjetit energjetik, për t’i bërë “trysni shtesë Ukrainës t’i zhvendosë kundërajrorët larg vijës së frontit”.

Rusia e ka mohuar prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022 se i sulmon civilët, por qytetet ukrainase dhe infrastruktura civile janë goditur vazhdimisht nga sulmet raketore dhe me dronë.

Sipas një raporti në shkurt të organizatave ukrainase dhe ndërkombëtare të bamirësisë, së paku 10.500 civilë ukrainas janë vrarë nga “bombardimet e vazhdueshme, minat dhe dronët”, në dy vjetët e fundit.