Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se i vuri tre herë tritol mobilerisë në Durrës, pranga 33-vjeçarit


Një 33-vjeçar i cili akuzohet për vënien e një sasie lënde shpërthyese në një mobileri në Rashbull është ndaluar nga policia.

I arrestuari është identifikuar si Alban Qira nga Kruja ndërsa ngjarja ndodhi katër ditë më parë.

I riu dyshohet se është i njëjti që i vënë lëndë shpërthyese biznesit në fjalë edhe dy herë të tjera më parë, më 18 nëntor 2023 dhe 7 mars 2024.

Njoftimi

“Identifikohet, lokalizohet dhe vihet në pranga 33-vjeçari nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vuri lëndë eksplozive në ambientet e jashtme të mobilierisë së një 48-vjeçari, në fshatin Rrashbull.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18.11.2023 dhe 07.03.2024.

Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit A. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë.

Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi A. Q. ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”