Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha të premten se shqetësimet po rriten në lidhje me pasojat ekonomike globale nga kapaciteti i tepërt prodhues i Kinës, duke e bërë çështjen fokusin kryesor të katër ditëve të takimeve ekonomike me zyrtarët kinezë.
Kina është shumë e madhe për të gjetur rrugën drejt rritjes së shpejtë ekonomike dhe do të ishte përfituese për botën të zvogëlonte kapacitetin e tepërt industrial që po u bën presion ekonomive të tjera, tha Yellen në një fjalim para një audiencë prej rreth 40 përfaqësuesish të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Guangzhou.
“Kapaciteti i tepërt nuk është një problem i ri, por është rritur fort dhe ne po shohim rreziqe të reja në sektorë të rinj,” tha Yellen në qendrën jugore të eksportit të Kinës, Guangzhou, ku u takua me zëvendëskryeministrin He Lifeng dhe guvernatorin e provincës Guangdong, Wang Weizhong.
Yellen dhe zyrtarë të tjerë të administratës së Bidenit po shqetësohen gjithnjë e më shumë për mbiprodhimin e automjeteve elektrike, paneleve diellore, gjysmëpërçuesve dhe mallrave të tjera nga Kina që po vërshojnë në tregjet globale përballë një rënieje të kërkesës në tregun e brendshëm të Kinës.
Ajo tha se kjo nuk është e shëndetshme për Kinën dhe po dëmton prodhuesit në vende të tjera, duke i kërkuar Pekinit të largohet nga investimet e drejtuara nga shteti dhe të kthehet në reformat e orientuara nga tregu që nxitën rritjen në dekadat e fundit.