Meksika ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin me efekt të menjëhershëm, tha presidenti Andres Manuel Lopez Obrador. Vendimi vjen si përgjigje ndaj arrestimit të ish-zëvendëspresidentit të Ekuadorit në Ambasadën Meksikane të vendit nga policia e Kuitos, pasi ata sulmuan kompleksin diplomatik, pas një përplasjeje disamujore.
Meksika i kishte dhënë azil politik të premten ish-zëvendëspresidentit ekuadorian Jorge David Glas Espinel, i cili ishte dënuar dy herë me akuza për korrupsion dhe ka qëndruar në ambasadë që nga fundi i vitit të kaluar. Ekuadori kishte kërkuar lejen e Meksikës për të arrestuar politikanin, por pa rezultat. Glas këmbëngul se ai është përndjekur politikisht.
Ndërsa i ofroi strehim ish-zëvendëspresidentit, Ministria e Jashtme e Meksikës i kërkoi Quito-s që t’i jepte një kalim të sigurt Glas, në mënyrë që ai të mund të largohej nga vendi. Ekuadori, megjithatë, e përjashtoi mundësinë, duke thënë se “nuk është e ligjshme t’u jepet azil personave të dënuar ose të ndjekur penalisht për krime të zakonshme”.
Të premten në mbrëmje, policia ekuadoriane sulmoi ambasadën, me video nga vendi i ngjarjes që tregonin një prani të madhe të forcave të zbatimit të ligjit në zonë. Qeveria e Ekuadorit pretendoi se bastisja u krye për të mbrojtur sovranitetin e saj kombëtar.
“Çdo ambasadë ka një qëllim të vetëm: të shërbejë si një hapësirë diplomatike me objektivin e forcimit të marrëdhënieve midis vendeve,” tha qeveria e Ekuadorit, duke akuzuar Meksikën për “abuzim me imunitetet dhe privilegjet e dhëna për misionin e saj diplomatik”.
Në një deklaratë të shtunën, Lopez Obrador tha se Glas është “një refugjat” i cili po përballet me “persekutim dhe ngacmim”. Ai e denoncoi bastisjen si “një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Meksikës”.
“Kam udhëzuar kancelarin tonë të lëshojë një deklaratë në lidhje me këtë akt autoritar, të procedojë ligjërisht dhe të shpallë menjëherë pezullimin e marrëdhënieve diplomatike me qeverinë e Ekuadorit”, shtoi ai.
Ministrja e Jashtme e Meksikës Alicia Barcena tha se personeli diplomatik i vendit do largohej menjëherë nga Ekuadori. Ajo shtoi se Meksika do apelojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të denoncuar veprimet e Ekuadorit. Ministrja ha gjithashtu se disa diplomatë meksikanë u plagosën gjatë operacionit.
Edhe para bastisjes së ambasadës, marrëdhëniet midis Meksikës dhe Ekuadorit u dëmtuan nga një sërë polemikash. Lopez Obrador i quajti zgjedhjet presidenciale të vendit të Amerikës së Jugut “shumë të çuditshme”, duke vënë në dukje se rezultati u ndikua shumë nga dhuna, duke përfshirë vrasjen e kandidatit presidencial të Ekuadorit, Fernando Villavicencio.
Si përgjigje, Ekuadori e shpalli ambasadoren meksikane Raquel Serur Smeke persona non grata, duke kërkuar respekt për sovranitetin e tij dhe duke vënë në dukje se vendi ishte ende në zi për vdekjen e Villavicencios.