Vendosni fjalën kyçe....

5 argumente pse masa ndaj Sali Berishës është e paligjshme


Nga Eduart Halimi

5 arsye pse vendimi për ndalimin e komunikimit për Sali Berishën është në kundërshtim flagrant me KEDNJ, vendimet e GJENDJ, Kushtetutën , KPP dhe rrjedhimisht masë e paligjshme!

Në datë 30 dhjetor 2023, GJKKO njoftoi publikisht vendimin ndaj Sali Berishës duke e vendosur atë në “Arrest shtëpie” dhe duke i ndaluar KOMUNIKIMIN me çdo person tjetër, përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

Sipas saj, baza për këtë është neni 237/2 i Kodit të Procedures Penale.(KPP)

Vendimi i GJKKO ka dhe mundet të ketë edhe shumë problematika të tjera që jam i bindur se avokatët e z. Berisha i kanë ndjekur dhe i ndjekin me vëmendje në shkallët e gjykimit, por unë dua të fokusohem në këtë analizë të shkurtër vetëm në njëren prej tyre e analizuar në 5 pika që lidhen me njohuritë e mia mbi të drejtën publike dhe atë private, pika të cilat dhe që kanë lidhje me standartet e Konventës Europiane (KEDNJ) dhe Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ)

Ky vendim i paprecedentë (ndalimi i komunikimit) edhe për personat e vendosur në “arrest me burg” apo dhe ata të akuzuar për krime lufte edhe nga Gjykata e Hagës (të cilët mund të komunikojnë dhe takohen me njerëz të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë) ka disa shkelje të rënda të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, Kushtetutës dhe KPP duke e bërë këtë një masë të paligjshme.

1.Ndalimi i komunikimit të Sali Berishës është bërë nga GJKKO në vitin 2023 është një masë e paligjshme pasi ajo bazohet në një dispozitë TË SHFUQIZUAR në vitin 2017 (pra 6 vjet më parë) dhe si tillë ky ndalim është bërë “pa ligj” duke shkelur rëndë Kodin e Proçedurës Penale (KPP). (Shih screenshot nga të dy KPP)

Vendimi i GJKKO për ndalimin e komunikimit mbështetet në nenin 237/pika 2 i KPP (viti 1994) i cili parashikonte si masë “ndalimin e komunikimit për të arrestuarit në shtëpi”. Ky nen, kjo dispozitë, 237/2 është shfuqizuar në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2017 me ligjin 35/2017 date 30.03.2017.

“Kufizimi i të pandehurit për të komunikuar me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me atë”, nuk ekziston më në ndonjë ligj shqiptar që prej datës 30 mars 2017 kur u miratua ligji 35/2017. I vetmi ligj që e parashikonte ishte Kodi i vjetër i Procedurës Penale (KPP) dhe prej 2017 NUK EKZISTON NË ASNJË LIGJ.

Rjedhimisht masa e sigurimit është dhënë në mungesë të një ligji dhe është dënim/sanksionim pa ligj, dhe në kundërshtim flagrant me Kodin e ri të Procedurës Penale i cili ka qënë në fuqi (dhe është ende) në datën 30 dhjetor 2023 kur është dhënë vendimi. Për ilustrim analogjia do ishte njëlloj sikur Gjykata të dënonte në 2024 dikë me vdekje, ndërkohë që ky dënim nuk ekziston më në Shqipëri prej Ratifikimit të protokollit 6 dhe 13 të KEDNJ, respektivisht në 2000 dhe 2007. Ndaj ashtu si nuk ezkiston më dënimi me vdekje si më sipër, nuk eksiston më as “Ndalimi i Komunikimit” të personit nën hetim apo mase sigurimi personal!

2.Vendimi shkel rëndë nenin 17 dhe 22 të Kushtetutës.

Vendimi për ndalimin e komunikimit të një personi përbën kufizim të lirisë së shprehjes sipas nenit 22 të Kushtetutës dhe për rrjedhojë, si çdo kufizim tjetër, duhet të jetë, së pari, me ligj, dhe së dyti, të plotësojë kriteret e nenit 17 të Kushtetutës. Kur ndalimi bëhet “pa ligj” pasi Kodi i Procedurës Penale e ka shfuqizuar ne 2017 dispoziten 237/2 dhe nuk e ndalon më komunikimin e subjektit, atëherë automatikisht si një vendim “pa ligj” ai bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë [Nenet 17 dhe 22 të Kushtetutës].

3.Vendimi shkel rëndë nenin 10 të Konventës Europiane (KEDNJ)

Ndalimi i komunikimit të personit, ndaj të cilit është caktuar masa e arrestit në shtëpi, kur bëhet pa ligj shkel nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky qëndrim është mbajtur nga Gjykata e Strasburgut në çështjen N. kundër Rusisë (nr. 2). Ligji shqiptar nuk e parashikon ndalimin e komunikimin, ndaj një masë e tillë e dhënë nga gjykatat shqiptare ngelet masë e dhënë “pa ligj”, rrjedhimisht KEDNJ e kualifikon automatikisht si shkelje të nenit 10 të saj.

4.Vendimi bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut përsa i përket kufizimit të komunikimeve

Në çështjen N. kundër Rusisë (nr. 2), Gjykata e Strasburgut u shpreh se: “rreziku për t’u arratisur dhe kufizimi i lirisë së shprehjes nuk kanë lidhje mes tyre, dhe për rrjedhojë ndalimit të komunikimit i mungon një qëllim legjitim duke ardhur kështu në kundërshtim me nenin 10 të Konventës”.

Për t’u kthyer në rastin konkret, rreziku për t’u larguar nga vendi dhe kufizimi i komunikimeve nuk kanë lidhje fare mes tyre. Mjafton të kujtojmë këtu se madje edhe të dënuarit me burg për krime të rënda në Shqipëri, apo edhe të pandehurit për krime lufte në Gjykatën e Hagës, komunikojnë jo vetëm me ata që bashkëjetojnë por me shumë vizitorë të tjerë përfshi edhe kryeministrin shqiptar, apo politikanë të tjerë të rajonit.

5.Vendimi bie ndesh me nenin 18 të KEDNJ dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut lidhur me pluralizmin dhe demokracinë politike funksionale

Sali Berisha ishte deputeti më aktiv opozitar i Kuvendit deri në datë 31 dhjetor 2023 dhe prej kësaj mase sigurimi të paligjshme atij i ndalohet të kontribojë në debatin parlamentar, apo konferenca shtypi në selinë e Kuvendit, apo të subjektit politik që është kundërshtar me qeverinë. Sipas Strasburgut (GJEDNJ) “Kur caktimi i masës së sigurimit është i paligjshëm, dhe ndalimi i komunikimit nuk ndjek një qëllim legjitim, por i shërben shtypjes së pluralizmit të mendimit politik, ka cënim të nenit 18 të Konventës për të Drejtat e Njeriut [N. kundër Rusisë (nr. 2)]

Në përfundim: një masë sigurimi e cila është dhënë “pa ligj” bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, KEDNJ, Vendimet e GJEDNJ, Kodin e Procedurës Penale në fuqi, dhe automatikisht është një masë sigurimi e paligjshme!