Vendosni fjalën kyçe....

Ishulli italian i pushtuar nga dhitë i ofron falas…për këdo që mund t’i kapë


Ishulli i vogël, i largët italian Alicudi është shtëpia e rreth 100 banorëve njerëz po ka njëherazi të njëjtin numër dhish të egra.

Megjithatë, këtë vit, raporti i njerëzve ndaj kafshëve është bërë jashtëzakonisht i çekuilibruar.

Ishulli është pushtuar nga gjashtëfishi i numrit të dëshiruar të popullatës së dhive dhe ka më shumë kafshë për frymë se kudo tjetër duke bërë që kryebashkiaku Riccardo Gullo t’i bëjë thirrje kujtdo që mund të ndihmojë për të zgjidhur këtë çështje.

Gullo i tha CNN të enjten se nuk i intereson nëse personat e interesuar kanë njohuri për dhitë. Mjafton t’i kapin dhe t’i marrin me vete.

Ai tha se programi u themelua sepse autoriteti lokal nuk do t’i vrasë kafshët, të cilat kanë shkelur zonat e banuara, kanë pushtuar shtëpitë, kanë ngrënë çdo gjë që mund të gjejnë në parqe publike, kopshte private dhe gardhe.

Sipas qeverisë rajonale siciliane, dhitë u futën në ishull rreth 20 vjet më parë nga një fermer, i cili më pas i la të lira.

Për vite me radhë, kafshët – të cilat nuk janë në pronësi të askujt – kullosnin në mënyrë autonome në anët e shkëmbinjve të Alicudit.

Por, të lënë në liri, ato janë riprodhuar me shpejtësi mahnitëse.

Të gjithë të interesuarit për të marrë deri në 50 dhi mund të bëjnë një kërkesë zyrtare deri më 10 prill, tha kryebashkiaku, megjithëse shtoi se do e zgjasë afatin derisa të largohen të gjitha dhitë.

Aplikanti duhet të dërgojë me email kërkesën e tij tek autoriteti lokal dhe të paguajë një tarifë vule prej 16 eurosh për ta zyrtarizuar atë.

Alicudi është më pak i banuar nga shtatë ishujt Aeolian, zinxhiri në brigjet veriore të Siçilisë që përfshin Strombolin dhe Liparin.

Përveç dhive, ishulli është gjithashtu i njohur për bukën e tij lokale haluçinante, që u shpall e jashtëligjshme në vitet 1950 dhe është një ndalesë e njohur turistike për varkat me vela dhe adhuruesit e vullkanit, të cilët mund të shohin shpërthimet e vazhdueshme të Strombolit aty pranë.

Nuk ka hotele dhe rrugë. Në vend të kësaj, transporti bëhet me mushka e gomerë që shkelin shtigjet e pjerrëta të ngjitjes.