Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli dërgon përfaqësues në Egjipt për bisedime me Hamasin


Izraeli tha të dielën se kishte tërhequr më shumë ushtarë nga Gaza jugore, duke lënë vetëm një brigadë, pasi ai dhe Hamasi dërguan ekipe në Egjipt për bisedime të reja mbi një armëpushim të mundshëm për luftën gjashtëmujore.

Izraeli ka ulur numrin e trupave në Gaza që nga fillimi i vitit për të lehtësuar rezervistët dhe është nën presion në rritje nga aleati i tij Uashingtoni për të përmirësuar gjendjen humanitare, veçanërisht pas vrasjes së shtatë punonjësve ndërkombëtarë të ndihmës javën e kaluar.

Zëdhënësi ushtarak nuk dha hollësi mbi arsyet e tërheqjes së ushtarëve apo numrat e përfshirë. Por ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se trupat do përgatiten për operacionet e ardhshme në Gaza.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi, konfirmuan se po dërgonin delegacione në Egjipt.

Hamasi dëshiron që çdo marrëveshje të sjellë fundin e luftës dhe tërheqjen e forcave izraelite. Izraeli ka thënë se, pas çdo armëpushimi, do eliminonte Hamasin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nuk do kishte marrëveshje pa lirimin e pengjeve dhe se ai nuk do i dorëzohej presionit ndërkombëtar. Hamasi thotë se një marrëveshje duhet të përfshijë lirinë e lëvizjes së banorëve në gjithë Rripin e Gazës.

Më shumë se 250 pengje u kapën dhe rreth 1200 njerëz u vranë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, sipas të dhënave izraelite. Më shumë se 33,100 palestinezë janë vrarë në ofensivën izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.

Rreth 130 pengje ende mbahen në Gaza.