Vendosni fjalën kyçe....

Katastrofë në vendin afrikan, 94 viktima nga fundosja e tragetit


Të paktën 94 persona kanë vdekur dhe 26 rezultojnë të zhdukur pasi një traget i improvizuar i mbipopulluar u mbyt në brigjet veriore të Mozambikut, thonë autoritetet.

Anija e peshkimit e kthyer në traget, me rreth 130 persona, u përball me telashe ndërsa u përpoq të arrinte në një ishull pranë provincës Nampula, thanë zyrtarët të dielën.

“Për shkak se anija ishte e mbipopulluar dhe e papërshtatshme për të transportuar pasagjerë, ajo u fundos”, tha sekretari i shtetit i Nampula, Jaime Neto. Shumë fëmijë ishin në mesin e viktimave, shtoi ai.

Ekipet e shpëtimit kishin gjetur pesë të mbijetuar dhe po kërkonin të tjerë, por kushtet e detit po e vështirësonin operacionin.

Shumica e pasagjerëve po përpiqeshin të iknin nga kontinenti për shkak të një paniku të shkaktuar nga dezinformatat rreth kolerës, tha Neto.

Vendi i Afrikës jugore, një nga më të varfërit në botë, ka regjistruar pothuajse 15,000 raste të sëmundjes së kolerës dhe 32 vdekje që nga tetori, sipas të dhënave të qeverisë.

Nampula është rajoni i prekur më keq, që përbën një të tretën e të gjitha rasteve.