Vendosni fjalën kyçe....

Nikaragua padit Gjermaninë në Gjykatën Ndërkombëtare: Ndihmon gjenocidin në Gaza


 

Më 1 Mars Nikaragua ngriti akuzë kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Gjermania ndër të tjera akuzohet, se me mbështetjen e saj të pakufizuar për Izraelin, përfshirë edhe furnizimet me armë, “nuk ka përmbushur detyrimin e saj, të pengojë gjenocidin ndaj popullit palestinez.”

” Me këtë Gjermania me shkelje të konventës kundër gjenocidit “ka kontribuar në kryerjen e gjenocidit”.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka vendosur dy ditë për trajtimin e çështjes, (8-9 Prill), ku si Nikaragua edhe Gjermania kanë një ditë në dispozicion për të paraqitur gojarisht argumentet e tyre. Vendimi pritet brenda disa javësh.

“Ne e vlerësojme Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe do të marrim pjesë patjetër në proces dhe do të mbrohemi“, ka thënë Christian Wagner, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane, pas bërjes publike të akuzës së Nikaraguas.

“Por ne duam të themi qartë, se këtë akuzë që ngre Nikaragua kundër nesh, natyrisht që e hedhim poshtë.”

 

Cila është Konventa e OKB-së kundër gjenocidit?

Konventa për mbrojtjen nga gjenocidi dhe dënimin e gjenocidit është një nga instrumentet që u krijuan nga OKB pas Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Marrëveshja e vitit 1948 nga Kombet e Bashkuara synon të bëjë realitet mësimin “kurrë më” pas mizorive të nazizmit, shfarosjen sistematike të gjashtë milionë hebrenjve dhe miliona njerëzve të tjerë nga Gjermania hitleriane.

Një premtim ky që mizori të tilla të mos ndodhin kurrë më në të ardhmen. Pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ky premtim u shndërrua në parullën “kurrë më është tani”, në shenjë solidariteti me komunitetin hebraik. Hamasi kategorizohet nga Izraeli, SHBA, Gjermania e vendet anëtare si organizatë terroriste.

Përmes përcaktimit të një kuadri ligjor, konventa e OKB-së do duhej të pengonte çdo lloj gjenocidi. Megjithatë në dekadat e kaluara janë kryer një seri krimesh të rënda kundër njerëzimit.

Gjermania dhe Izraeli janë dy nga më shumë se 150 vende që e kanë nënshkruar konventën. Edhe Nikaragua amerikano-qendrore. Të gjithë ato vende që kanë nënshkruar konventën janë të detyruara të respektojnë konventën dhe kanë të drejtë të ngrenë akuzë formale, nëse besojnë, se një vend tjetër e shkel këtë konventë.

Nikaragua këtë e bëri në fillim të marsit. Gjykatës i kërkohet të marrë “përkohësisht masa kundër Gjermanisë”, që sipas akuzës përfshijnë ndërprerjen e ndihmës për Izraelin, “sidomos të ndihmës ushtarake, përfshirë edhe armatimet, nëse këto ndihma mund të përdoren për shkeljen e konventës kundër gjenocidit”./DW