Vendosni fjalën kyçe....

Rusia gati për sulm masiv përgjatë frontit, Ukraina shumë e ngadaltë më përgatitjet – The Economist


Ardhja e pranverës në Ukrainë sjell dy lloje pushimesh.

Moti më i ngrohtë do të thotë se sulmet e furishme të raketave dhe dronëve të Rusisë ndaj infrastrukturës elektrike dhe gazit nuk do të jenë aq të padurueshme.

Dhe me motin e ngrohtë të re vjen balta që sjell me vete një muaj apo më shumë gjatë të cilit lëvizja ushtarake bëhet e vështirë.

Kjo duhet të pengojë valën e sulmeve ruse përgjatë vijës së frontit që shtrihet në të gjithë Ukrainën lindore dhe jugore.

Por nuk do zgjasë.

Ndërsa pranvera do i lërë vendin verës, frika është se Rusia do ndërmarrë një ofensivë të re të madhe, siç bëri vitin e kaluar. Dhe aftësia e Ukrainës për ta penguar këtë herë duket shumë më pak e sigurt tani sesa atëherë. Kjo është arsyeja pse Kievi duhet urgjentisht të mobilizojë më shumë trupa dhe të ndërtojë mbrojtje më të fuqishme në vijën e parë.

Ukrainasit në mënyrë të kuptueshme fajësojnë politikanët e botës për gjendjen e tyre. Të zënë me Lindjen e Mesme, zgjedhjet e ardhshme në SHBA dhe Parlamentin Evropian dhe problemet e tyre ekonomike, aleatët perëndimorë të Ukrainës janë të hutuar.

Vendimi i republikanëve në Kongres që mbështesin Trumpin për të bllokuar paketën ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të administratës Biden për Ukrainën, ka një efekt në vijën e parë dhe mbi qytetet e Ukrainës.

Ushtarët e Ukrainës po detyrohen të racionojnë predhat e tyre, ndërsa Rusia i tejkalon ata në disa vende në raportin pesë me një.

Më shumë se 150 dronë dhe raketa u lëshuan kundër Ukrainës vetëm në një natë javën e kaluar, por Ukrainës po i mbarojnë të gjitha armatimet dhe mjetet tejet të rëndësishme në fushën e betejës,  veçanërisht ata që mund të godasin sulmet më vdekjeprurëse nga pala ruse.

Bllokimi i Amerikës rrezikon t’i japë Rusisë mundësinë të thyejë linjat e papërshtatshme mbrojtëse të Ukrainës.

Dhe evropianët nuk po paraqiten shumë më mirë, pavarësisht nga bisedat me ton luftarak nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron – i cili këmbëngul se Rusia duhet të mposhtet, por dërgon pak pajisje për të ndihmuar që të ndodhë – ose kancelarit të dobët të Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili po refuzon të furnizojë raketat e fuqishme Taurus me rreze të gjatë veprimi.

Evropa ka dështuar të përmbushë objektivin e saj për të dërguar 1 milion predha në Ukrainë deri në këtë muaj, megjithëse çekët kanë kërkuar nëpër botë për të kompensuar mungesën.

Problem janë edhe paratë; Europa duhet të ndihmojë edhe me këtë. Por Polonia dhe Franca, ndër të tjera, po përpiqen të bllokojnë eksportet jetike bujqësore të Ukrainës në mënyrë që të mbrojnë fermerët e tyre.

Megjithatë, Ukraina nuk mund të fajësojë thjesht aleatët e saj. Është edhe vetë fajtore për gabimet. Njëri ka qenë dështimi i saj në fuqinë rekrutuese ushtarake. Rusia po përgatitet për një valë tjetër mobilizimi, me gjasa për kundërsulmin e saj të ardhshëm të madhe.

Sulmi terrorist në një sallë koncertesh në Moskë më 22 mars mund ta bëjë këtë më të lehtë për Vladimir Putinin, i cili po e përdor atë për të pohuar se Rusia duhet të jetë e fortë përballë armiqve gjakatarë.

Por në Ukrainë përpjekjet për të mbledhur rekrutë të rinj janë ende të mbërthyera në bobinat e procesit demokratik; Më shumë se 1,000 amendamente thuhet se janë paraqitur në një projektligj në Parlament që do t’i jepte qeverisë më shumë hapësirë ​​për të ngritur ushtrinë që i nevojitet.

Me mungesë parash dhe me frikë nga rënia e popullaritetit, Presidenti Volodymyr Zelensky nuk është përpjekur mjaftueshëm për të çarë rrugën. Ukraina ka qenë gjithashtu shumë vonë në përforcimin e pozicioneve të veta mbrojtëse.

Në një farë mënyre, kjo është e kuptueshme. Qeveria ende ëndërron për një kundërofensivë të re dhe i trembet idesë se vija e tanishme e frontit mund të ngurtësohet në diçka shumë të ngjashme me kufirin, që heq një të pestën e vendit dhe i privon atij pjesën më të madhe të daljes në det.

Ideja që kjo linjë mund të bëhet baza për një negociatë paqeje në të ardhmen është pikërisht ajo që Zelensky ka dashur të shmangë.

Por rreziqet tani janë aq të mëdha sa që është alternativa më pak e keqe.

Javët e fundit ekskavatorët kanë filluar të lëvizin dhe pengesat e mbrojtjet në vijën e frontit po ndërtohet. Megjithatë kjo duhet të kishte filluar shumë më herët. Shpresa është që të mos jetë shumë vonë për këtë gjë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Economist

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani