Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Parisi do të sigurohet që çdo hap i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, do të përmbushet.
Gjatë konferencës për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.
“Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron.
Udhëheqësi francez po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.
Ndërkaq, Vuçiç tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e raporteve nuk është i vërtetë, pasi “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, duke iu referuar Kosovës.
Gjatë konferencës për media me Macronin, Vuçiq foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësi serb pretendoi se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – dhe parakusht i saj, sipas tij, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.
“[Kosova] po kryen shpronësim në veri, nuk ka hetim për plagosjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiç.
Pallati Elize njoftoi më herët se dy zyrtarët po ashtu do të bisedonin për integrimin evropian të Serbisë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Macron “do të riafirmojë zotimin e tij për mbështetjen e plotë të integrimit evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i raporte me Kosovën është pjesë integrale e procesit të pranimit” në Bashkimin Evropian.
Ky është takimi i njëzetë ndërmjet Vuçiqit dhe Macronit deri më sot./REL