Në seancën e sotme të zhvilluar ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gjykata e Posaçme administroi deklarimet e dhëna nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Luan Hoxha, në shkurt 2009.
Ish ministri Mediu kërkoi pyetjen e tij përmes video konferencës, por prokurorët e SPAK thanë se nuk kishin një adresë të ish-gjeneralit, i dënuar në procesin e parë të dosjes “Gërdeci”.
“Kam rezerva se duket qartësisht ata që janë dëshmitarë kryesorë nuk kanë pranuar të pyeten. Shefi i shtabit duhet patjetër të jaë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Nuk është kaq e vështirë për të gjetur adresën e një qytetari në SHBA” tha Mediu.
Ndërkohë prokurorët nisën prezantimin e provave shkresore, mes të cilave akt-ekspertimin amerikan të shkakut të shpërthimit në Gërdec, akt-ekspertimin ushtarak dhe atë financiar.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, shkaku i shpërthimit mund të ishte flaka e shkaktuar nga kontakti i një karroce të saposalduar me thasët e barutit, por edhe mundësi nga mosdorëzimi i çakmakëve në hyrje të fabrikës, apo kontakti i rrotave metalike të karrocës.
Sipas akt-ekspertimit ushtarak, demontimi i kalibrave të mëdhenj nuk mund të behej në një distancë të afërt me zonën e banuar, ndërsa akt-ekspertimi financiar llogarisë një kosto prej 59 mln lekësh për transportin, që konsiderohej sipas SPAK, dëm në buxhetin e shtetit.
Sakaq, Denis Hadari nuk pranoi të dëshmonte, ndërsa Anjola Agollin do kërkohet sërish të thirret në seancë, pasi sipas sistemit TIMS ndodhet në Shqipëri. Ndërkohë seanca tjetër është caktuar më 24 prill, në orën 12:00.