Teksa të enjten pritet që në Kuvend të votohet mbi çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, Gazment Bardhi i bëri thirrje deputetëve socialistë që ta dorëzojnë drejtësisë. Pas mbledhjes me deputetët e Rithemelimit, Bardhi tha mazhoranca duhet të tërhiqet nga porosia që u ka dhënë deputetëve socialistë për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kulmi arriti dje ku në Konferencën e Kryetarëve, për llogari të Ramës, njeriut që ka firmosur investimin strategjik për Xhaçkën, sulmuan hapur anëtarët e GJK, duke shpallur madje atë që nuk është dëgjuar në 33 vite, se GJK nuk i imponohet dot Kuvendit.
Uroj shumë që deri të enjten ka orë para, mazhoranca të reflektojë. Të tërhiqet nga porosia që u ka dhënë deputetëve për të mos zbatuar vendimin e GJK dhe të dorëzojë para drejtësisë Olta Xhackën dhe më pas të gjithë zyrtarët publikë përfshirë edhe Edi Ramën, për grabitjen e pronave publike në bregdet”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, çdo deputet që do ngrejë kartonin e kuq për të refuzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese kryen vepër penale.
“Çdo deputet që ngre kartonin për të refuzuar vendimin e GJK kryen krim penal. Ligji për GJK thotë se pengimi për të zbatuar vendimet e GJ dënohet sipas kodit penal. Cilido që pengon zbatimin e vendimit të GJ kryen krim. Pastaj është detyrë e drejtësisë që të na provojë se s’ka krim që kryhet në opinion publik që mbetet pa ndëshkuar”, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha se nuk dolën me një vendim në Këshillin e Mandateve, pasi Rama nuk u kishte diktuar deputetëve se çfarë vendimi të marrin. Deputeti demokrat hedh akuza se edhe Rama ka shkelur ligjin duke shpallu investitor strategjik Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres Xhaçka.
“Na mblodhën në Këshill Mandatesh për të marr vendim, duke qenë se nuk i kishte thënë Edi Rama ca vendimi të marrin nuk morën vendimin. Rama ka shkelur dy herë më shumë se Xhaçka ligjim duke i dhënë statusin e investitorit strategjik në një pronë publike me dokumente të falsifikuara. Ka pasur përgjegjësi për të verifikuar, prandaj është Kadastra”, u shpreh Bardhi.
Ndërkohë, Bardhi hodhi akuza ndaj Ramës e kryebashkiakut Erion Veliaj se ushtrojnë presin ndaj drejtësisë.