Vendosni fjalën kyçe....

OSBE reagon pas thirrjeve të Listës Serbe për bojkot: Serbët vendosin vetë


Misioni i OSBE-së në Kosovë u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim dhe të mos ndikohen nga thirrjet e Listës Serbe për bojkot. 

OSBE-ja ka thënë se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në proceset demokratike është kyçe për normalizim.

“Pavarësisht deklaratave zhgënjyese partiake politike që i ka dekurajuar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, do të jetë në dorën e votuesve në secilën komunë të vendosin nëse duan apo jo të votojnë për largimin e kryetarëve më 21 prill”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Po ashtu, OSBE-ja ka komentuar edhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vendosjen e kamerave në vendvotime – që në votimin e 21 prillit do të ishte hera e parë që do të zbatohej ky vendim. Ajo ka këshilluar KQZ-në që të shmangë “qasjet inovative, si përdorimi i kamerave në vendvotime, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu ka bërë thirrje serbëve në veri të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës Serbe, të cilët kërkuan të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri.  Sipas Osmanit, ky bojkot vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ajo ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të reagojnë dhe ta ndëshkojnë presidentin e Serbisë për presionin që po ua bën serbëve.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovës ka vlerësuar se bojkoti i procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri nuk është në interes të qytetarëve. Kjo ambasadë ka vlerësuar se natyra demokratike e procesit do të dëmtohet nëse qytetarët do t’i ndjekin thirrjet e Listës Serbe për bojkot.