Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria i ngriti akuzë, Rrumbullaku pezullon nga detyra Ervin Muçën


Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka vendosur të pezullojë nga detyra Ervin Muçën, Drejtorin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, pas dyshimeve të Prokurorisë së Tiranës për veprimet e tij në lidhje me sistemin TIMS.

Muça është vënë në masën e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimeve se ka kopjuar të dhënat e sistemit TIMS në mënyrë të paautorizuar, pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar  Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të  pezullojë  menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.  

Më datë 09.04.2024, Drejtori i Përgjithshëm është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas.”, njofton Policia e Shtetit.