Vendosni fjalën kyçe....

Arlind Qori akuzon Veliajn si organizator të një sulmi inxhinierik në rrjete sociale


Kreu i Lëvizjes Bashjkë Arlind Qori ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj si organizator të një sulmi inxhinierik në rrjetet sociale ndaj profilit të tij “të lodhur” në Instagram.

Teksa poston disa grafikë ai shpjegon se në orët e para të mëngjesit, profilit të Qorit i janë shtuar 30 mijë ndjekës me profile të rreme.

Qori thekson se kjo është një taktikë sulmi për t’i mbyllur profilin dhe është “dhuratë” për kritikat e forta ndaj kryeashkiakut Veliaj.

Kreu i Lëvizjes Bashkë nënvizon se pavarësisht sulmit, rrjetet sociale nuk janë pika e tij më e fortë, teksa pohon se nuk do i ndalë denoncimet.

“Sot në orët e para të mëngjesit profilit tim të lodhur në Instagram iu shtuan rreth 30.000 ndjekës me profile të rreme. Me sa kuptoj, kjo është një taktikë sulmi për të ulur ndjekshmërinë reale ose për të mbyllur profilin. Besoj se këtë “dhuratë” e kam merituar për shkak të qëndrimeve të forta kritike ndaj Erion Veliajt për skandalin e fundit korruptiv. Është ironike se si një kryetar bashkie që i akuzon kundërshtarët e vet si bolshevikë, përdor metoda totalitare të heshtimit. Gjithsesi, miqtë e mi, besoj e keni kuptuar se pika ime më e fortë nuk janë rrjetet sociale. Duket paradoksale, por ndjekshmëria ime virtuale është më e ulët (në Instagram rreth 6-7 herë) sesa numri i votave të marra në Tiranë. Shtylla kurrizore e angazhimit tim dhe të aktivistëve të Lëvizjes BASHKË është dalja fizikisht në rrugë, takimet me qytetarët dhe inkurajimi reciprok për t’iu kundërvënë të keqes. Mund të na zhdukin nga të gjitha televizionet. Mund të na mbyllin të gjitha dritaret në rrjetet sociale. Prapëseprapë:

– Këmbët nuk na i presin dot.

– Gojën nuk na e mbyllin dot.

– Dorën për të dhënë mesazhe në muret e qytetit nuk na e mbajnë dot.

– Guximin nuk na e bllokojnë dot.

– Kreativitetin nuk na e përmbajnë dot.” – shkruan Qori në Facebook.