Vendosni fjalën kyçe....

Britania do nisë deportimin e emigrantëve drejt Ruandës brenda pak javësh – Sunak


Fluturimet e para të dëbimit sipas skemës së diskutueshme të Britanisë për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruandë do nisin këtë pranverë, njoftoi të martën zyra e kryeministrit Rishi Sunak.

Plani vijon të përballet me kundërshtimin e deputetëve dhe organeve të të drejtave të njeriut, përfshirë OKB-në.

Vendimi u mor gjatë një takimi midis Sunak dhe presidentit të Ruandës, Paul Kagame, i cili udhëtoi për në Mbretërinë e Bashkuar dhe u takua me kreun e “Downing Stret”.

“Të dy krerët presin me padurim fluturimet që fillojnë në pranverë”, tha zyra e Sunak.

Londra arriti një marrëveshje me Ruandën në prill 2022 që emigrantët e paligjshëm të dërgoheshin në kombin e Afrikës Lindore.

Megjithatë, në qershor të të njëjtit vit, fluturimi i parë u anulua pas ndërhyrjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Plani është shpallur gjithashtu i paligjshëm nga gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila e ka konsideruar Ruandën të pasigurt për të dëbuarit.

Një projektligj i ri, Projektligji për Sigurinë e Ruandës, i prezantuar në dhjetor për të bllokuar sfidat e mëtejshme gjyqësore ndaj planit do debatohet sërish në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar më 15 prill.