Gara e notit pjesë e triathlonit olimpik në Paris mund të vonohet ose anulohet nëse cilësia e ujit nuk përmirësohet në lumin Senë, që rrjedh nëpër kryeqytetin francez, sipas organizatorëve.
Në lum pritet të zhvillohen disa gara olimpike këtë verë, por ai ka nivele “alarmante” të baktereve, sipas një paralajmërimi të lëshuar nga OJQ-ja ndërkombëtare “Surfrider Foundation Europe”. Grupi pohoi se nga 14 mostrat e marra në Urën Aleksandri III gjatë një periudhe gjashtëmujore, të gjitha, përveç njërës, treguan cilësi të dobët të ujit.
Tony Estanguet, një kampion tre herë olimpik në kanoe dhe president i Komitetit Organizativ të Parisit 2024, pranoi të martën se E. coli është “një nga sfidat më të mëdha” me të cilat përballen organizatorët, duke vënë në dukje se gara e triathlonit mund të vonohet ose pjesa e notit të anulohet nëse cilësia e ujit përkeqësohet.
Rreziku kryesor vjen nga stuhitë e dendura të shiut, kur uji derdhet në sistemin e ujërave të zeza pariziane, duke shkaktuar rrezik për tejmbushje. Shiu i tepërt më pas derdhet në lumë dhe mund të çojë në ndotje. Verën e kaluar një rrjedhje e ujërave të zeza çoi në anulimin e një gare noti paraolimpike.
Matjet e marra midis shtatorit 2023 dhe marsit 2024 treguan se nivelet e dy baktereve – E. coli dhe enterokokit – ishin shpesh dy dhe nganjëherë tre herë më të larta se normat të lejuara evropiane, sipas Fondacionit Surfrider.