Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje e dëshmi, “Në Shënjestër” zbardh pjesë nga dosja e prokurorisë për ndërhyrjen në sistemin TIMS nga Ervin Muça


Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjen në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Në dokumentarin e emisionit në Shënjestër pasqyrohen dëshmitë e personave që ishin pjesë e momentit kur drejtori i pezulluar tashmë i IT-së në Policinë e Shtetit Ervin Muça dyshohet se eksportoi të dhënat e serverit.

Pjesë nga dokumentari:

Në lidhje me ngjarjen e paprecedentë, ku një drejtor tenton të pushtojë bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, kur detyra e tij në raport me ligjin ishte e kundërt me këtë veprim, grupi hetues ndërmori një sërë veprimesh që lidheshin më zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ku bazë për nisjen e hetimit fillimisht u mor denoncimi i ardhur me email, në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nga vetë specialistët e zyrës në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Por çfarë është ky database që donte të rrëmbente drejtori Ervin Muça dhe për çfarë shërben ky server? Për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtij serveri dhe po kështu edhe vlerën e çmuar që ka për ata që duan ta shtien në duar, mjafton të shikojmë emalin denoncues të specialistëve të këtij departamenti që u vendosën në një presion serioz nga drejtori i tyre, për të shkelur ligjin dhe për ta hedhur në një usb xhepi që ky i fundit kishte me vete.

Në këtë database që drejtori Ervin Muça, donte ta fuste në një usb xhepi, përfshihen hyrje-daljet e personave, dokumentet biometrike, gjeneralitetet, ngjarjet kriminale dhe jo kriminale, aksionet e policisë, dosjet hetimore, lista e terroristëve, gjobat e makinave, si dhe informacion territorial sekret etj”, thuhet në dosje.

Por specialistët e zyrës së IT-së në Policinë e Shtetit, nuk e lanë këtu denoncimin e tyre. Duke parë absurditetin e kërkesës së ardhur nga eprori i tyre madhor, pasi informuan shefin e tyre të sektorit, ky i fundit vuri në dijeni mbi skandalin edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si edhe Drejtorin e Krimeve, Z.Neritan Nallbati. Ai u kërkuar këtyre të fundit të mos përfshihen në këtë proces të jashtëligjshëm, që kishte të bënte me vjedhjen dhe eksportimin e të dhënave në disqe të jashtme, që nuk dihet se ku do të shkonin.  Por siç e thamë kjo nuk ishte hera e parë që Ervin Muça, përfshihej në një aktivitet të tillë të paligjshëm. Të njëjtën gjë mësohet se ai e kishte bërë edhe gjatë kohës kur punonte në Drejtorinë e Tatimeve, ku ishte akuzuar për vjedhje të të dhënave.

Po për t’u kthyer edhe njëherë te rasti më i fundit, ai i tentimit nga ana e tij të vjedhjes së të dhënave të Policisë së Shtetit, denoncuesit, në emailin e tyre drejtuar krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, shkruajnë se Ervin Muça e kreu këtë operacion bashkë edhe me dy miq të tjerë të tij të cilët punonin në një kompani private.

“Për të kryer këtë operacion, drejtori Ervin Muca, mori edhe disa miq të njohur, nga një kompani private. Punonjës IT të Ermal Beqirit nga Soft & Solution, të cilët kanë ardhur gjatë orarit të pasdites pranë laboratorit të Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën ‘Mine Peza’, dhe kanë kryer eksportin e të dhënave. Gjatë pritjes së përfundimit të procesit të eksportit, këta persona janë shprehur se janë njëri punonjës IT i QKB dhe dy të tjerë nga kompania ‘Horizont’, por që mbeten për t’u verifikuar. Nëse janë nga ‘Horizont’ atëherë të dhënat kanë vajtur direkt në Qipro”, thuhet në denoncim.

Në bankën e akuzës së denoncuesve është edhe Besjon Tanuzi, edhe ky sipas tyre pa certifikatë sigurie, që kishte vetëm pak kohë që ishte emëruar në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit. 

Procesi i eksportit u bë në prani të Besjon Tanuzit që ka një javë që ka ardhur drejtor me mision këtë vjedhje, edhe ky i emëruar në këtë departament pa certifikatë sigurie dhe mbi të gjitha me diplomë Ekonomiku. Ervin Muça, pasi mori vesh që Ardit Muço është vënë në dijeni të këtij procesi banditesk, urdhëroi punonjësit që Arditit t’i mbyllen të gjitha akseset në email apo çdo kompjuter që është pjesë e Policisë së Shtetit”, thuhet në denoncim.

Por data 2 gusht, duket se ka qenë e gjatë dhe e vështirë edhe për specialistët e tjerë në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. ë cilët tregojnë se si papritur u gjendën në mes të një lufte të hapur midis drejtorit të madh, në këtë rast Ervin Muça që i urdhëronte të bënin back up-in e të dhënave të sistemit TIMS, dhe në krahun tjetër shefit të sektorit, Ardit Muço, që u dërgonte email ku u tërhiqte vëmendjen të mos e bënin një gjë të tillë, pasi ishte në kundërshtim me ligjin. GS, specialiste në këtë zyrë, e cila kishte vetëm një muaj që kishte filluar punë në këtë drejtori, thotë se pasi në zyrë u erdhi drejtori Ervin Muça, njëkohësisht në këtë moment atyre u mbërriti edhe një email nga shefi i sektorit Ardit Muço, që u kujtonte përgjegjësitë në rast se do të ndërmerrnin veprime të tilla.

“Më datë 2 Gusht, rreth orës 15.00 në zyrë ka ardhur drejtori Ervin Muça, i cili u ka kërkuar dy prej specialistëve mbylljen e aksesit për shefin e sektorit dhe në vazhdim të raportonim vetëm te ai, pra te drejtori.  Por pa kaluar as 5 minuta, në adresat tona erdhi një email nga adresa e Ardit Muços, ku ai na shkruante që të mos bënim asnjë proces lidhur mbi back up-in e të dhënave në sistemin TIMS. Kjo pasi sipas tij është e ndaluar dhe përgjegjësia është individuale”, ka dëshmuar specialistja G. S.

Këtë urdhër të drejtorit Ervin Muça, e konfirmon edhe A. V, specialiste në zyrë, e cila asistoi në marrjen e të dhënave, bashkë me një tjetër kolege të saj si edhe me personin për të të panjohur, por që ishte thirrur nga drejtori Ervin Muça, për të bërë eksportin e të dhënave.

Më datë 2 Gusht 2023, drejtori më mori në telefon dhe më tha t’i shkoja në zyrë. Ku më kërkoi që të bëja një kopje të të dhënave që lidheshin me back up-in e sistemit TIMS dhe sistemeve te tjera që janë pjesë e back up. Nga ana ime nuk është përcjellë asnjëherë dhe askujt asnjë kopje e bazës së të dhënave. Po më këtë datë, më duhet të them se një punonjës i jashtëm, njohje e drejtorit Ervin Muça, tentoi të kryente procesin e back up, por dështoi në këtë proces”, ka deklaruar specialistja A.V.

Por ndërsa specialistja A. V, thotë se procesi dështoi, pra të dhënat nuk kaluan në Hard Diskun e jashtëm, kolegia e saj Xh.Ç, rrëfeu për grupin hetues se operacioni për kalimin e të dhënave nuk ishte kryer i plotë. Pavarësisht se të dhënat nuk ishin marrë plotësisht, ajo që përbën habi në këtë histori është se Hard Disku në fjalë ditën e nesërme është dorëzuar, i boshatisur dhe se ende nuk dihet se ku përfunduan ato të dhëna që ishin mundur të shkarkoheshin.  Zyrtarja me inicialet Xh.Ç tha se fillimisht drejtori Ervin Muça i kërkoi asaj përmes telefonit, se duhet të bënin një back up të bazës së të dhënave të sistemit TIMS, ku ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte fjalëkalimet dhe as njohuritë e duhura për të kryer një proces të tillë. Drejtori i kishte thënë që këtë proces do e bënte bashkë me specialisten A. V. Ai ishte porositur nga drejtori të përmbyllte me sukses procesin. Ku gjatë kësaj kohe në zyrën e tyre mbërriti për ndihmë edhe Klodian Mazari, punonjës pranë AKSHI-t. Më tej në dëshminë e saj, zyrtarja e policisë shpjegoi se drejtori Muça i kishte kërkuar të hapte portat e USB, pasi të dhënat do të hidheshin në një Hard Disk të jashtëm. Ndërsa pasi i la në dorë Hard Diskun, drejtori Ervin Muça u përpoq të bindte vartësen e tij se të dhënat do të ruheshin në një kasafortë, për arsye sigurie, për shkak të ndonjë sulmi kibernetik. Por ky operacion pavarësisht se ata kishin qëndruar në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 3 gusht, nuk ishte përmbyllur me sukses.

Gjatë kohës që A. V u ul në kompjuterin tim për të bërë back up-in, në këtë moment në zyrë vjen edhe një person nga AKSHI, i cili erdhi aty për të ndihmuar kolegen time. Ndërkohë që sipas urdhërit të drejtorit unë duhet të qëndroja për gjatë gjithë kohës aty, për të mësuar se si kryhej procesi. Gjë që e bëra deri në orën 20.30, pasi procesi nuk po mbyllej. Nga ajo që mësova është se eksportimi i të dhënave ishte kryer vetëm në masën 500 mgb. Por jo i gjithë, pasi diçka nuk shkonte”, ka dëshmuar Xh. Ç.

Të nesërmen zyrtarja i tha Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, se një kolege e kishte informuar përmes telefonit se kishin qëndruar deri në mesnatë në institucion dhe se procesi nuk kishte përfunduar. Ndërkohë që në zyrë, në kompjuterin e saj ajo gjeti mbi tavolinë edhe Hard Diskun që një ditë më parë ia kishte dhënë drejtori Ervin Muça, Hard Disk që do të shërbente për të hedhur të dhënat e sistemit. Por që kur ajo e kontrolloi, kuptoi që ishte bosh dhe nuk kishte asnjë të dhënë të ruajtur.

Faktin që Klodian Mazari la zyrën e tij pranë AKSHI-t dhe u mor me ekstraktimin e të dhënave në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, e pranojnë edhe specialistë të këtij sektori si edhe vetë Drejtori i Drejtorisë së Sistemeve. Në këtë rast eprori direkt i Ardit Muço, shefit të dorëhequr të sektorit të IT-së, i cili gjatë orëve të pasdites të datës 2 gusht e kishte parë Klodian Mazarin në ambientet e oborrit të Drejtorisë. Por ai thotë se nuk i kishte dhënë rëndësi qenies së tij aty, pasi kishte pak njohje me të. Edhe pse Klodian Mazari, ishte aty pikërisht për të ndërhyrë në sistemin e të dhënave, ku drejtor në Drejtorinë e Sistemeve, ishte vetë Besjon Tanuzi. Ndërkohë që një tjetër punonjës ka treguar edhe rrethanat se si Klodian Mazari, u thirr në zyrë nga drejtori i madh, Ervin Muça, për t’i dhënë një dorë në kryerjen e back up-it të të dhënave.

Më datë 2 gusht 2023, rreth orës 18.00 në zyrën tonë erdhi një person i panjohur për mua, por që ishte njohje e drejtorit, ku mesa duket ishte specialist i IT. Ai u ul në kompjuterin e specialistes tjetër dhe bashkë me drejtorin, dhe specialisten A. V filluan të kryenin back up-in. Në orën 19.00 unë u largova nga zyra dhe lashë aty tre specialistët, si edhe personin e panjohur për mua. Ndërsa drejtori ishte larguar disi më herët”, mësohet të ketë thënë specialistja E.H.

Zyrtarja shpjegoi më tej se back-upet e sistemeve bëhen në mënyrë automatike dhe në mënyrë periodike dhe pas përfundimit të procesit, po në mënyrë automatike vjen një email në adresën e personit të autorizuar, në këtë rast shefit të Sektorit. Vetë punonjësi E. H, pranoi për grupin hetues se drejtori i madh, në këtë rast Ervin Muça, u kishte ushtruar presion atyre, që të kryenin veprime të kundraligjshme. Dhe këtë e kishte bërë hapur në sy të të gjithë specialistëve të sektorit që mbulon teknologjinë dhe informacionin. Madje në një moment ai e ka çuar gjuhën edhe më tej, në kërcënime më të rënda, duke u kujtuar specialistëve se nëse nuk zbatonin urdhrin e tij, ata do shkonin të gjithë 200 metra më poshtë. Pra në Prokurori, duke pasur parasysh se godina e serverit të Policisë së Shtetit, ku ruhen të dhëna, është jo më shumë se 200 metra nga godina e institucionit të akuzës.

Në një moment drejtori filloi të flasë me tone të ashpra, kërcënuese. Ai na kujtoi se nëse nuk zbatonim urdhërin e tij, do të shkonim 200 metra më poshtë, duke nënkuptuar Prokurorinë e Tiranës”, ka dëshmuar E.H.

Të gjitha këto dëshmi që provonin se drejtori Ervin Muça, kishte kryer një operacion që kishte si qëllim eksportimin e të dhënave jashtë serverit zyrtar të policisë, u pohuan edhe nga vetë shefi i sektorit të Teknologjisë dhe Informacionit.  Ardit Muço i cili ishte në konflikt të hapur me drejtorin Ervin Muça, që nga momenti që ky i fundit u emërua drejtor i këtij departamenti të rëndësishëm në Policinë e Shtetit, në muajin qershor të vitit 2023.

Unë punoj prej 12 vitesh në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. Ku së fundmi kam mbuluar edhe detyrën e shefit të sektorit të Serverave. Pozicion nga ku më datë 1 Gusht 2023, i kam paraqitur dorëheqjen Drejtorit të Përgjithshëm. Në lidhje me një email që unë kam dërguar në adresën e punës, më duhet të informoj se në atë komunikim unë tërheq vëmendjen për eksportimin e të dhënave dhe rrezikun e publikimit të tyre. Kjo edhe në bazë të shqetësimit që më kanë referuar vartësit e mi, të cilëve drejtori Ervin Muça, u ka kërkuar një kopje të bazës së të dhënave të sistemit TIMS”, thotë Muço.

Ai tha më tej për grupin hetues se më datë 2 Gusht 2023, pasi u njoh me shqetësimin e vartësve të tij, të cilët ishin vënë në presion nga drejtori Ervin Muça, për të kryer medoemos eksportin e të dhënave, ai u kishte sugjeruar kolegëve që ta refuzonin kategorikisht një urdhër të tillë.  Madje duke u sugjeruar që të mos i jepnin asnjë fjalëkalim, drejtorit Ervin Muça, apo personave të tjerë që do të autorizoheshin prej tij. Por sipas tij, drejtori Ervin Muça, nuk ishte mjaftuar me kaq, por e kishte marrë edhe në telefon.

“Po atë ditë, më datë 2 Gusht 2023, rreth orëve të pasdites, drejtori Ervin Muça më mori në telefon, ku më kërkoi që t’i jepja fjalëkalimet e serverave të bazës së të dhënave të sistemit TIMS. Por unë i kujtova procedurën standarde të punës si dhe rregulloren e Policisë së Shtetit. Ku i thashë se fjalëkalimet mundësohen vetëm ditën që bëhet edhe dorëzimi i detyrës. Dhe kjo në Sekretari, dhe jo nëpërmjet telefonit sikundër kërkonte drejtori Ervin Muça”, thuhet në dëshminë e Muços.