Vendosni fjalën kyçe....

Pse nuk ngjit protesta para Bashkisë?


Nga Mero Baze

Edi Palokës i kishte dalë nga shpirti sot dëshpërimi pse nuk mblidhen njerëz para Bashkisë së Tiranës dhe po e krahasonte me faktin se më 21 janar, për Ilir Metën u bë gjema për 700 mijë euro… Në fakt nuk ishte fjala për 700 mijë euro, pasi 700 mijë euro ishte vetëm një fletë e bllokut, por kjo është temë tjetër.

Arsyet që çuan njerëzit në revoltë më 21 janar, nuk lidhen vetëm me bllokun, por me një sërë aktesh arrogante të shtypjes së demokracisë, harbutërisë në vjedhje, përfshirje të familjes Berisha, vajzës dhe djalit të tij në skandale të njëpasnjëshme, mosndëshkimi i Gërdecit dhe aferat korruptive të ARMO, dhe privatizimet e tjera që kaloheshin me foto të Liri Berishës me biznesmenë në kërkim etj. 

Tani problemi është përse qytetarët nuk po i bashkohen protestës para Bashkisë?

Arsyeja zyrtare pse opozita proteston para Bashkisë, është pse janë marrë në ndjekje penale me arrest në burg tre drejtorë, për të cilët Bashkia ka pranuar përgjegjësinë, nuk ka kundërshtuar, as ka kritikuar drejtësinë për ndalimin e tyre, dhe nuk është në ndonjë betejë kundër hetimit nga drejtësia. 

Kjo është aryseja e parë që i demotivon njerëzit që duan drejtësi, t’i bashkohen një proteste drejtuar nga njerëz që paradite shkojnë protestojnë tek bashkia dhe kërkojnë që SPAK të veprojë, mbasdite shkojnë tek rrugica dhe kërkojnë që SPAK të mos veprojë kundër Berishës.

Kjo demotivon dhe çetën opozitare e jo më qytetarët e tjerë që kanë aq intuitë të kuptojnë ku pengohet drejtësia dhe ku ajo po vepron.

Arsyeja e dytë janë personazhet që udhëheqin këtë protestë, figurinat më banale të opozitës dhe të shquar vetëm për akte dhune, të cilët mbajnë të veshur bluza me sloganin “Liri për Sali Berishën”. Pra shkojnë para një godine të kërkojnë burg për kryetarin e Baskisë dhe mbajnë mbishkrime që kërkojnë liri për kryeministrin e tyre të ndëshkuar ndërkombtarisht si familje e korruptuar.

Një tjetër arsye është gjuha e përdorur në këto protesta. A nuk të vjen të qeshësh, kur shikon Argita Sali Berishën, Ilda Safet Zhulalin, Kleves Fahri Balliun e figurina të tjera qesharake, që mbajnë parrulla të tipit, “Poshtë fëmijët e baballarëve”. 

Dhe e thonë këtë para një godine, ku i zgjedhuri i saj, ka ngelur jetim që dhjetë vjeç dhe ka hyrë në politikë nga rruga me protesta, kurse këta marrin rrogën si të punësuar të baballarëve të tyre. Madje në publik ende njihen si djali i filanit apo vajza e filanit.

Përpjekja e tyre për të bërë politikë me origjinën pesëdhjetëvjeçare të socialistëve, për një moment i ka bërë të harrojnë se kanë shkuar vetë 50 vjeç dhe po, janë komunistët e rinj të Shqipërisë, që duan të trashëgojnë pushtetin e korruptuar të etërve të tyre.

Dhe në këto momente të vështira për Veliajn, ky në fakt është i vetmi shërbim politik që po i bëhet, për ta bërë të ndjehet i mbështetur politikisht. Kurse ata të ndjehen një çetë agresive që u prijnë figura që në Tiranë njihen ose si hajdutë dyqanesh, ose si pengmarrës. Në këtë rast të opozitës.