Kreu i grupit parlamentar të Rithemelimit të PD-së Gazment Bardhi tha sot se vendimi i deputetëve të PS-së për të mos e çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës i jep statusin e paprekshmërisë nga drejtësia ish-ministres të cilët e ironizoi si investiture strategjike.
Ai shtoi se ajo që ndodh në Shqipëri nuk ka lidhje as me shtetin ligjore dhe as me atë demokratik.
“Nuk mund të ketë një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi ndryshe për gjithë të tjerët. Vendimi i djeshëm i Kuvendit që i jep statusin “e paprekshme nga drejtësia” investitores strategjike Olta Xhacka, është akti më i paprecedentë i ndodhur në 33 vjet. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese mund të mos na pëlqejnë, por detyrimin për t’i zbatuar nuk e shmangim dot. Ky nuk është as shtet ligjor dhe as shtet demokratik. Kjo është goditja më konkrete që i bëhet Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të reja të dala prej saj. Edi Rama doli dje zbuluar përpara çdo qytetari si njeriu i pushtetshëm që është mbi ligjin dhe që trajton këdo ai dëshiron si mbi ligjin”, tha Bardhi.
Demokrati nënvizoi se nëse opozita e qytetarët humbin mundësinë e korrigjimit të paligjshmërisë përmes institucioneve, zhbëhet mekanizmi i vetëm që ruan ekulibrat në një shoqëri demokratike.
Bardhi theksoi se vullneti i Ramës s’mund të jetë Kushtetuta e Shqipërisë.
“Nëse opozita dhe qytetarët humbin edhe mundësinë që paligjshmërinë ta korrigjojnë përmes institucioneve, zhbëhet i vetmi mekanizëm që ruan balancat në një shoqëri demokratike. Vullneti i Edi Ramës nuk mund të jetë kurrë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ai është vetëm vullneti i mbrapsht që në 11 vjet ka cënuar interesin publik për llogari të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që pasurohen dhe grabisin çdo ditë pronat dhe paratë publike. Mbrojtja politike ndaj një zyrtari të mazhorancës që kërkohet nga drejtësia është mesazh që Edi Rama e ka përsëritur sa herë i është rrezikuar interesi i tij. Të gjithë mbajnë mend se në të njëjtën mënyrë u soll edhe me Saimir Tahirin, ku fillimisht e mbrojti nga drejtësia. Por mbrojtja politike nuk zgjat shumë. Si në atë rast, edhe në mbrojtjen që po i ofron Olta Xhackës, përgjegjësia mund të vonojë, por do të vijë!” – mbylli Bardhi.