Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka njoftuar rithemelimin e Partisë së Lirisë. Fjala e përdorur prej Metës është e njëjtë me Rithemelimin e PD-së nga Berisha, me lëvizjen e nisur prej tij pas shpalljes non grata nga SHBA-ja.
Meta shkruan në Facebook se rithemelimi do bëhet në Konventën Kombëtare të 27 prillit që do sjellë shkundjen dhe riorganizimin e Partisë së Lirisë nga themelet për t’i dhënë fund asaj që ai e quan arrogancë e papranueshme në opozitë.
“Kemi detyrime shumë të mëdha ndaj të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve që na kanë votuar, na mbështetin dhe sakrifikojnë çdo ditë për Partinë e Lirisë, pa përfituar asgjë, pa kërkuar asnjë favor dhe pa trokitur ndonjëherë në derën e selisë për t’ju zgjidhur ndonjë hall! Me shumë përulësi u jam thellësisht mirënjohës, emër për emër, secilit prej tyre, dhe i garantoj se do të bëj gjithçka në interes të tyre për të vënë në jetë 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë dhe objektivin tonë madhor për 4 milion shqiptarë + në vendin e tyre! Ndaj është koha për rithemelimin e Partisë së Lirisë në Konventën Kombëtare më 27 prill, për t’u shkundur dhe për t’u riorganizuar nga themelet, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë arrogancës së papranueshme në opozitë.” – shkruan Meta.